Nga Arbër Zaimi
Pak ditë para përvjetorit të 18 të Pavarësisë së Kosovës, ditës kur u dëgjuan edhe fjalimet e fundit të prijësve të UÇK-së para se të dëgjojnë vendimin gjyqësor, Veton Surroi ftoi në emision Agron Didën, inxhinierin specialist që menjëherë pas lufte mori drejtimin e PTK-së, ndërmarrjes publike të komunikimeve postale e telefonike.
Sa janë gjasat që të ketë qëlluar rastësisht kjo ftesë, bash para seancës gjyqësore me vëmendje maksimale në Hagë, ku do të ballafaqohen nocione principiale si liria dhe drejtësia, sovraniteti vendor e fuqia ndërkombëtare?
Agron Dida shpluhurosi dhe risolli në aktualitet një lajm të varrosur në gazetat e kohëve kur interneti ende nuk ishte aq i përhapur dhe gazetat shtypeshin në letër, mandej arkivoheshin. Kohë kur nuk mund të “kancelohej” shkrimi e shkruesi, apo edhe vetë historia me një “click” siç mund të ndodhë sot, me arkivat tona tërësisht digjitale, pra tërësisht jashtë kontrollit.
Ing. Dida tregoi se si menjëherë pas lufte u shfaq nevoja për modernizim e zgjerim të rrjetit të telefonisë mobile. U bë një komision ekspertësh vendorë, me pjesëmarrjen në komision edhe të dy përfaqësuesve ndërkombëtarë, njëri nga autoritetet ushtarake të misionit të NATO-s në Kosovë, dhe njëri nga ato civile të misionit të Kombeve të Bashkuara. Ky komision, rikujtoi Dida, do të përzgjidhte sipas kritereve të qarta e transparente, me profesionalizëm, kompaninë që do të zhvillonte dhe implementonte projektin e telefonisë mobile në Kosovë, projekt jo pak i rëndësishëm në aspektin financiar. Komisioni u mblodh, shqyrtoi, analizoi, diskutoi, dhe me unanimitet vendosi që fitues të ishte një kompani austriake. Por, edhe pse në punimet e komisionit u pajtuan të gjithë, vendimin përfundimtar dy përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk e nënshkruan. Si teknikë të fushës ata ishin dakord me specialistët e tjerë në komision e kështu thoshte fjala e tyre, por si diplomatë ndërkombëtarë udhëhiqeshin nga të tjera konsiderata e kështu thoshte mosnënshkrimi.
Agron Dida rrëfen se presioni ishte i madh që projekti t’i akordohej një kompanie franceze. Shefi i misionit të KB në Kosovë asokohe ishte Bernard Kouchneri, një mjek e politikan i shquar francez, dikur revolucionar maoist i ‘68, mandej ministër i Mitterrandit socialist, mandej drejtues organizatash të rëndësishme ndërkombëtare. Me reputacion si humanist. Ja që, reputacioni ndërkombëtar dhe misioni i lartë i KB nuk e ndali Kouchnerin që të çonte përpara një interes strikt francez. Nuk e dimë nëse Kouchneri dhe ekipi i tij francez përfituan nën tavolinë ndonjë llokmë, por dimë se Agron Didës i premtuan shuma të konsiderueshme e prona në Montekarlo, nëse do ta lehtonte këtë proces. Agron Dida refuzoi, duke u bazuar te etika e tij si profesionist, por edhe te vetëdija e tij kombëtare, si zyrtar i lartë i një vendi që sapo kishte fituar lirinë me shumë kosto njerëzore dhe ekonomike, e që kishte nevojë për një fillim të mbarë.
Refuzimi nga ana e Agron Didës nuk e ndali procesin, por e ndali Agronin për sa kohë mbeti vetëm e pa përkrahje nga aktorët politikë e partiakë të kohës. Inxhinieri u largua nga pozita me vendim të autoriteteve ndërkombëtare, dhe aty u vunë të tjerë njerëz që lejuan të shkonte përpara kompania e paracaktuar franceze. Ne nuk e dimë a morën ata të tjerët llokma për veten e tyre, edhe pse dimë që disa drejtues të këtij sektori më vonë u pasuruan shumë dhe sot jetojnë jashtë vendit me biznese tepër të mëdha.
Po të kishin mbështetur Agron Didën e të tjerët si ai drejtuesit politikë të Kosovës qysh në atë kohë do t’i kishin treguar ndërkombëtarëve ca vija të kuqe. Mirëpo kryesisht ata, disa me rrahje shpine, disa me krehje bishti e disa me fërkim barku, u bënë ftues për kapërcimin e vijave të kuqe. U krijua një bindje se shkelja së bashku e vijave të kuqe përshpejtonte “vëllazërimin” me ndërkombëtarët. Por rezultati i mbramë i këtij “vëllazërimi” pervers që bazohet mbi shkatërrimin e ligjit dhe vjedhjen e pronës së vendit dhe popullit tënd, po na del se është gjyqësia ndërkombëtare. Sepse që ta ndash drejtësinë në vendin tënd e sipas ligjit tënd, pra që të jesh mirëfilli sovran, duhet jo vetëm të kapësh armën për liri, duhet edhe të themelosh menjëherë drejtësi funksionale e të verbër, sapo arrin te liria.
Një status i ngjashëm do të mund të shkruhej edhe për Shqipërinë ku sot politika po përballet me një drejtësi të ndërkombëtarizuar për të tjera arsye e për të tjera çështje. Në të vërtetë të vepruarit si Agron Dida në raste të ngjashme nuk është ndonjë heroizëm, por është gjëja e vetme normale që duhet të bëjë profesionisti, patrioti dhe qytetari kur është në pozitë vendimmarrëse. Heroizmi le të mbetet atribut i dëshmorit, vepër kohësh ekstreme. Ama këmbëngulja qytetare për respektimin e ligjit dhe të dijes përballë presioneve nga pushtetet e klikat, këmbëngulja patriotike për interesat publikë të popullit tënd, janë e vetmja mënyrë nëse nuk dëshiron të përfundosh ti e vendi yt skllav “zinxhirësh të praruar”.

