Figura e Karl Marksit, ideologut kryesor të komunizmit, në Shqipërinë komuniste trajtohej në suaza profetike.

Portreti i tij shpalosej kudo, në tubime, pleniume, kongrese, koncerte dhe deri në institucionet arsimore dhe ato kulturore.

Doktrina e Karl Marksit ishte instrumenti kryesor i propagandës komuniste për 45 vjet diktaturë.

Mirëpo, ideologu i diktaturës së proletariatit rezulton të ketë pasur mendime aspak pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjuha e tij denigruese ndaj shqiptarëve duken si vijimësi e elaborateve serbe të mbushura me përçmim dhe gjuhë tejet fyese.

Opinionet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Karl Marksi i shprehu gjatë kohës kur punoi si korrespondent i gazetës amerikane “New York Daily Tribune” për Europën.

 “Arnautët  (u referohet shqiptarëve) janë pjesërisht të krishterë të ritit ortodoks grek dhe pjesërisht myslimanë. Duke gjykuar për aq pak sa i njohim janë shumë pak të prirur për t’u qytetëruar. Prirjet e tyre grabitqare duhet të detyrojnë çdo qeveri fqinje t`i mbajnë ata nën një trysni të rreptë ushtarake për deri sa përparimi industrial në vendet fqinjë të mos u sigurojë punë atyre si druprerës e ujëbartës”  shkruante Marksi në një artikull të datës 7 prill të vitit 1853.

Krahas terminologjisë fyese, Marksi në artikujt e tij kujdeset të ofrojë dhe dominancën e sllavëve në rajon duke theksuar se të vetmit rivalë të sllavëve ishin shqiptarët, të cilët, ashtu si turqit mbeten armiq të çdo përparimi.

“Nuk mund të mohohet fakti se gadishulli i quajtur zakonisht Turqia Europiane është pasuri natyrore e trashëguar nga stërgjyshërit e races së sllavëve të jugut. Ata e zotërojnë atë tokë prej 12 shekujsh. Pa marrë parasysh atë pak popullsi që rrjedhin nga rrënjë sllave, por që kanë përvetësuar gjuhën greke, rivalë të sllavëve janë vetëm arnautët barbarë ose turqë, të cilët prej kohësh janë dënuar si kundërshtarët më të egër të çdo përparimi. Përkundrazi sllavët e jugut janë të vetmit bartës të qytetërimit në pjesët e brendshme të vendit.” – shkruan Marksi në një tjetër artikull të datës 23 prill të vitit 1853.

Këto përshtypje të Marksit, krahas termave denigrues për shqiptarët dhe turqit, shpalosin dhe tendencën për manipulim të historisë duke i trajtuar grekët e lashtë si sllavë të asimiluar.

Linçimi që Marksi u bën shqiptarëve në këtë periudhë duket sikur ka për referencë Naçertanjen e Ilia Garashaninit, ideologut serb i cili në 1844-ën hartonte të parin prej disa elaborateve serbe për shfarosjen e shqiptarëve.

Pra, Karl Marksi të cilin shqiptarët e nderuan për gjysmë shekulli si profet të marksisëm-leninizmit, rezulton të jetë një ndër përçmuesit më të zellshëm ndaj atdheut të tyre.

Diktatura komuniste u përpoq të gjente referate apo editoriale të Marksit lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, por konstatimi i përshtypjeve të tij për shqiptarët i shtyu autoritetet komuniste ta mbyllnin sa më shpejt atë histori, ndërkohë që Marksi u trumbetua dhe u glorifikua vetëm në suaza ideologjike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *