Nga Ali Aliu
Në kuadër të bashkëpunimit mes Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë dhe Shoqatës të Shkrimtarëve të Kosovës, në pranverën e vitit 1970, kjo e fundit mori një ftesë nga Lidhja për të marrë pjesë në shënimin e shtatëdhjetëvjetorit të vdekjes së Naim Frashërit. U caktua një grup, më duket prej 10 ose 12 anëtarëve, – Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Vehap Shita, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Rahman Dedaj, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani, në mesin e të cilëve edhe unë. Ishte ngjarje e rëndësishme, sidomos për ne që do të vinim për herë të parë në Shqipëri, prandaj besoj, si të tjerët, atyre ditëve, para nisjes, isha i përfshirë nga emocionet e pritshmërisë.
Në Shqipëri hymë nga Hani i Hotit, ku na prisnin përfaqësues të Lidhjes. U nisëm drejt Tiranës në kolonë së cilës i printe njëra nga makinat e mikpritësve që e ndiqja unë me Fiatin tim 1300, duke pritur me padurim të mbërrijmë sa më shpejt në kryeqytetin e Shqipërisë. Diku, mbase afër Tiranës, ku m’u duk rruga si më e përshtatshme për të rritur shpejtësinë, – më bëhet se e kisha Podrimjen dhe Shkrelin në makinë, – e shkela gazin, dhashë shenjë dhe dola në krye të kolonës. Nuk zgjati shumë tempi i ri i kolonës, shoferi mikpritës të cilin e kalova më dha shenjë, dha sinjalin e krahut të majtë, rriti shpejtësinë dhe doli përsëri në krye – solli rregull me shpejtësinë 50-60 km në orë, shenja e parë, elegante, e disiplinimit.
Në Tiranë, para se të vendosemi në hotel, zbarkuam drejt e në oborrin e Lidhjes. Shkallëve drejt hyrjes së një godine të bukur na priste, në krahun e djathtë dera krahëhapur drejt sallës së madhe, një grup shkrimtarësh, mbase pesëmbëdhjetë a më shumë, të gjithë në këmbë. Besoj se nuk njihnim asnjërin – të paktën unë – dhe besoj se nuk njihnin as ata ndonjërin nga ne, pos ndonjërin që mund ta kishim parë, përkatësisht mund ta kishin parë ata në foto a diku. Mbaj mend që u përziemë brenda në një atmosferë dhe ambient surreal, në një si kërkim të njëri-tjetrit, si mes të njohurve moti e të mosnjohurve kurrë. Në atë gjendje gjysmëpërgjumjeje afrohet drejt meje një mesoburrë, me një qeshje të hapur mirësie, përhapëse, tërheqëse, me flokë të zinj të bujshëm dhe më mori në përqafim: jam Dhimitër Xhuvani, ma shqiptoi emrin në vesh, duke më mbajtur gjatë ashtu. Po, më kishte parë në televizionin e Beogradit. Asokohe Prishtina ende nuk kishte televizionin e vet. Kishte një dritare, më duket disaorëshe në javë, dhe brenda tyre edhe nja 15 minuta kulturë, brenda të cilave unë kisha folur për romanin e tij “Përsëri në këmbë”. Dikur dikush na ftoi – mbase Dhimitër Shuteriqi – të zinim vend rreth një tavoline të madhe, të rrumbullakët, ku ishin servirur gotat e rakisë dhe mezet. Nuk më kujtohet nëse vendet ishin të caktuara përpara për secilin apo jo, por mbaj mend se u gjenda në një karrige me shikim nga muri-xham që shikonte nga oborri, mes një zonje në të majtë, që ishte nga administrata e Lidhjes, dhe në krahun e djathë me Ismail Kadarenë, të cilin e kisha parë diku në foto. Nuk mbaj mend shumë detaje as nga ky takim, pranë gotave që, tok me gëzimin nga ftesat e Lidhjes, ditët e përgatitjes, udhëtimin… kishin krijuar ritëm real dhe virtual bashkë, por një detaj, nga ndeja në krah të Kadaresë, kureshtar, por edhe i hutuar, më ka mbetur i gjallë. Brenda një zhurmërime, pas kupës së Kryetarit të Lidhjes për mirëseardhje, që u krijua mes bisedash tani tek-e-tek, po prisja një reagim kontakti me Kadarenë. Nuk ecnin as minutat në heshtje. Ktheja kokën herë-herë me kujdes në atë drejtim dhe mbaj mend sikur Kadareja e kishte fiksuar shikimin diku në një qoshe të tavanit të lartë dhe dukej sikur nuk ishte fare i pranishëm. Heshtja dhe prisja nuk e di sa kohë, kur m’u drejtua me një pyetje: “Ju jeni redaktor i disa botimeve te Rilindja e Prishtinës, nga autorë të Shqipërisë?” “Po”, – i them, meqë si redaktor në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku isha bashkë me Ramiz Kelmendin dhe Nazmi Rrahmanin, kisha firmën në romanet e P. Markos, A. Abdihoxhës, J. Xoxës, e vazhdimin e mëtejmë të bisedës së nxitur nga kjo pyetje e pasoi pyetja tjetër: “Dhe nuk gjete asgjë më të mirë për botim?” Gati u preva, si t’ia shpjegoja se autorë nga Shqipëria botonim ç’na binte në dorë, rastësisht, mjaftonte të ishte pa problem nga syri i censurës jugosllave. Vetëm të ishte autor nga Shqipëria dhe lexuesi i etshëm e rrëmbente si dhuratë të Zotit. Kështu mbeta pa fjalë. Ishte i papërballueshëm argumenti – besimi absolut i Kadaresë për formatin e shkrimtarit.
Burimi: ExLibris