Nga Besjana Lushaj

Në zgjedhjet e ardhshme do të votoj Lëvizjen Bashkë dhe Arlind Qorin.

Përpara se ta hedh votën do të përpiqem të mësoj qëndrimet e qasjen e tyre për disa çështje me interes për mua.

1.
A ka Lëvizja Bashkë një program të mirëfilltë qeverisje apo nje listë me prioritete, mbi bazën e të cilëve ata do qeverisin? Unë nuk jam aq cinike dhe e ligë që t’i kërkoj LB-së një faturë, cent më cent sesi ata kanë menduar t’i harxhojnë lekët e shqiptarëve. Çfarë do doja të gjeja tek programi do ishte të njëjtin rigorozitet në shifra, si në manifestin e tyre politik. LB-ja është e vetmja parti me një bosht të mirëpërcaktuar ideologjik. Manifesti i tyre është reflektim i dijeve të tyre mbi politikën, hartuar nga njerëz që janë studiues të fushës. Për këtë gjë, LB-së i duhet hequr kapelja.

2.
Në cilat pika distancohet LB-ja me partinë simotre gjermane të saj Die Linke? Die Linke është kundërshtare e thekur e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Kaq të përkushtuar janë në këtë pikë saqë në momentet kur e gjithë Gjermania, por dhe i gjithë planeti, ndodhej në mesin e një pandemie që po merrte jetë njerëzish, Die Linke merrej me cic-mice duke bërë presion politik që Gjermania dhe NATO të kërkonin falje për bombardimet mbi Beograd. Die Linke, me anën e fondit të saj “Rosa Luxembourg Stiftung” është financuese e shumë projekteve dhe nismave të ndërmarra nga eksponentë të LB-së.

Lëvizja Bashkë ështe një nga partitë me qëndrimin me korrekt mbi situatën e krizës në veriun e Kosovës, duke mos iu bashkuar poltikanëve të tjerë të rinj të ciliët ishin më të kursyer se zakonisht në reagimet/mosreagimet e tyre. Gjithsesi, për ata që e njohin sadopak Die Linke-n, e dinë se ata nuk kursehen aspak në imponimin e axhendës së tyre.

Sa do të jetë në gjendje LB-ja t’i bëjë ballë presionit që mund të vijë në një moment të dytë nga simotra e tyre gjermane?
Për këtë unë do të pyes.

Në zgjedhjet e ardhshme do të votoj për Nismën Thurje, Endrin dhe Panon.

Nisma Thurje ka në gjirin e saj njerëz të moderuar dhe joradikal. Kur të rastis t’i shikosh bashkë gjatë daljeve të tyre publike të duket sikur të gjithë janë shkolluar në të njëjtën shkollë, kanë bërë të njëjtën praktikë pune pas studimeve, dhe ashtu një ditë të bukur kanë vendosur të kthehen sëbashku për të bërë Shqipërinë. Në fakt, të gjithë vijnë nga profesione të ndryshme dhe nuk kanë hyrë në politikë pa pasur asnjë ditë pune. Kjo e fundit është pika e tyre e fortë, por njëkohësisht dhe pika e tyre më e dobët. Angazhimet e mëparshme si funksionarë të lartë partish dhe institucionesh i ka bërë shumë njerëz të dyshojnë tek e gjithë ndërmarrja e tyre politike sot.

Nisma Thurje ka hedhur propozime konkrete në tavolinë me kartën 2020 dhe 33 projektligjet . Nisma nuk ka një prerje ideologjike që të imponohet me kontaktin e parë me ta. Për të kuptuar se në cilin pellg ideologjik noton Nisma, duhet të gërmosh pak.

Une do doja që ky germim t’iu kursehet atyre njerëzve të cilët nuk e kanë mundësine e kohën të gërmojnë aq gjatë. Nisma Thurje duhet të vijë tek njerëzit. Ndoshta ky grupim vullnetmirë teknicienësh e ekspertësh të fushave të ndryshme ka nevojë dhe për pak kohë që jo vetëm të zbresë në terren, por që të hedhë rrënjë në terren.

Endrit Shabanit do i këshilloja me dashamirësi që të shmangte sa të jetë e mundur mbimediatizimin e shkollimit të tij në Oxford. Pano Sokos do i këshilloja t’i blinte bluzat të paktën një numër më të madh. (Shaka, Pano është një nga ata që në auditore i quajmë ligjërues të mirë të ekonomisë.)

Si ka në plan Nisma Thurje të vijë tek njerëzit? Cili është plani konkret i Nismës për të luftuar korrupsionin?

Për këto unë do të pyes.

Në zgjedhjet e ardhshme do të votoj për Levizjen Vetëvendosje.

Një pjesë e bindjeve të mia politike gjejnë përfaqësim vetëm tek VV-ja. Por VV-ja nuk e ka të sigurtë votën time. Edhe nga VV-ja do doja të dija përse është prej kaq kohësh në mungesë në skenën politike shqiptare? Mos ndoshta ka ardhur koha për një riorganizim të partisë? Apo mos ndoshta në skenën politike shqiptare do të hyjë një simotër e VV-së që do të lindë si pasojë e vakumit të krijuar prej kaq shumë vitesh?

VV-ja e Tiranës do të ketë kusurin që të paguajë gjithmonë çmimin e gabimeve të VV-së së Prishtinës.

A ka në plan Lëvizja Vetëvendosje të jetë realisht aktive në Shqipëri?

Për këtë duhet pyetur.

Në zgjedhjet e ardhshme do të votoj për partinë e Diasporës.

Që të jemi korrekt, partia e Diasporës nuk ekziston akoma, por në momentin që ajo do të marrë jetë me guxim dhe kthjellësi politike, do të ketë votën time.

Në zgjedhjet e ardhshme nuk do të votoj për Adriatik Lapajn

Që të mos keqkuptohemi, deri tani u morëm në radhë të parë me partinë pastaj me emrat. Këtë herë emri i ka paraprirë partisë. Më saktë, për të cituar Lapajn, ai i ka vënë gjoksin punës për të bërë partinë. Kështuqë unë e filloj analizën time me një bindje që është krijuar prej kohësh, jo në bazë të një paragjykimi të disa episodeve ku Lapaj tradhtohet nga gjuha që përdor, por në bazë të një vrojtimi të të gjitha qëndrimeve politike të tij ndër vite.

Arsyeja kryesore pse unë nuk e votoj zotin Lapaj është sepse nuk më ngjall besim dhe kjo është arsyeja më legjitime për të mos e votuar dikë.

Nje nga shërbimet më të mëdha që Arjan Çani i ka bërë skenës politike është vënia përballë e Lapajt dhe Qorit në një panel diskutimi para disa kohësh. Për herë të parë njerëzit mundën të shikonin ballë për ballë dy modele totalisht të ndryshme.

Qori serioz dhe me këmbë në tokë, deri diku i sertë dhe i pashqetësuar nga provokimet e shpeshta të studios, kishte përballë delirin e një njeriu i cili besonte se një valë e re emigrimi varej nga një dështim i tiji, si një alternative e re, në politikë. Nuk dua ta imagjinoj se çfarë ankthi dhe frike mund të shkaktojë një barrë e tillë. Por, pyetja që lind është: Sa i përgjigjet realitetit një frikë e tillë?!

Unë njoh shumë njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe asnjëri prej tyre nuk e ndjen veten të përfaqësuar nga zoti Lapaj. Andaj ai mund ta ndjejë veten të çliruar nga përfaqësimi i fateve tona.

Personalisht e shoh zotin Lapaj si vazhdim të një mentaliteti problematik i cili ka formësuar jo vetëm skenën politike shqiptare por dhe mendësine e elektoratit.

Shqipëria e ka tashmë një brez politikanësh të rinj nga radhët e forcave politike të trajtuara në shkrim.
Por, ndoshta shumë shpejt Shqipërisë do t’i vijë dhe një brez tjetër të rinjsh qe nuk hyjnë në politikë me gjoks, por me mendje të prerë./kumti.net

By Editor

One thought on “Kur të shkoj tek kutia e votimit në 2025-n…”
  1. Nëse do kisha të drejtë vote, gjithashtu do të votoja Arlin Qorin, por në pamundësi më ngelet të bëj vetëm tifo dhe ta sugjeroj 🙂

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *