Nga Shaip Beqiri
Fragment studimi
(…) Poeti vihet në kërkimin e vet përtej asaj që kanë gërmuar e nxjerrë në dritë dielli arkeologët, sepse puna e tij bëhet shumëfish më e përkorë, prekja e tij nuk është një kontakt fizik me gurë e rërë, me figura e statuja, me shtylla mermeri, harqe, relieve e kulla dhe as veç me lloje më të ndryshëm eksponatesh unikalë brenda një hapësire ku kanë mbetur gjurmat e përjetshme të mijëvjeçarëve të identitetit tonë.
Poeti në këtë mënyrë, megjithatë, ka arritur te burimi më shpejt seç e ka pritur atë në uliksiadën e vet. Tash artikulimi i të folurës së tij qërohet plotësisht, asaj i tretet shkumëzimi i paktë që kishte, bëhet së tepërmi kristalore: rrëzëlluese deri në lëbyrje. Zbërthimi i një kuptimi më të sintetizuar mbi përqendrimin e tërësishëm ndaj raportit që do të mbajë poeti me këtë burim të pashtershëm të poezisë së tij, po morëm parasysh poezinë e tij karakteristike “Një trekëndësh në jetën tonë”, do ta kemi të plotë pamjen e tërë poetikës së Rrahman Dedajt me harmoni të jashtëzakonshme të kuptimësisë dhe figurshmërisë:
I tërheqim nganjëherë gishtat nëpër rërën e kujtimit
Si në lojë nëpër hirin që flet gjuhën e etërve
Dhe vizatojmë një trekëndësh të kuq
Katetës A mbi bar
Ia kemi dhënë emrin e kafkave tona
Dhe të erës së bukës
Katetës B-e ia kemi dhënë emrin e trëndafiles
Kur jemi bërë fenerë
Nëpër piramidat e ëndrrave
Në hipotenuzën C-e
Kështjella e fjalës na ka mbetur
Nëpër shtigje duke u munduar ta gjejë
Rrënjën katrore të jetës
Një trekëndësh në jetën tonë – SF
Në strofën e parë përcaktohet dimensioni kohor i së tashmes, por edhe ai hapësinor i lashtësisë, i sugjeruar me figurën e preferuar të poetit – hirin. Po në këtë strofë vargu i fundit shpreh brendësinë e vizionit poetik me anë të figurës së trekëndëshit, i cili është skeleti ideoestetik i tërësisë kuptimore; ndërkaq ngjyra e kuqe është simbolika e pashlyeshme e udhëkryqeve të historisë shqiptare. Edhe në tri strofat e tjera bëhet shtresëzimi i këtij indi poetik me një gradacion të fuqishëm inventiv. Kështu në strofën e dytë shprehet ekzistenca në të tashmen, e cila lidhet me unazën e trashëgimisë me figurën e kafkave të etërve; ndërkaq në të tretën, tek e cila janë të dallueshme figurat me natyrën e tyre të butësinë e të urtësisë, sugjerojnë projektimit e vizionit të së ardhmes së njëjtësuar e të bashkuar. Këta akte të skicuar kaq bukur brenda dramës me reliev të ashpër kombetar artikulojnë tërë historinë tragjike me një figuracion lapidar. Gjuha e mprehtë poetike arrin kulmin e të shprehurit të qartë e të thellë. Ja një detaj stilistik që vihet në spikamë tek vargu: “Katetës B-e ia kemi dhënë emrin e trëndafiles…”, ku analiza e thjeshtë morfologjike e numrit shumës / njëjës e shpreh bartjen kuptimore të figurës me saktësi maksimale. Kurorën e këtij tempulli të rrallë poetik Dedaj e ka vënë te strofa e fundit e poezisë, tek diagonalja/hipotenuza midis kështjellës së fjalës dhe rrënjës katrore të jetës, sa ajo mund të vihet si moto krijuese e gjithë lirikës së Rrahman Dedajt.
Prishtinë, 1974