Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj tre personave të dyshuar për shpërthimin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc, që ndodhi më 29 nëntor 2024. Ai tha se hetimi i kryer nga institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me FBI-në, ka qenë i suksesshëm dhe ka siguruar prova të qarta për rolin e të dyshuarve.
Sipas Kurtit, të akuzuarit ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes natën kritike dhe janë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë. Ai theksoi se këto grupe janë të lidhura ngushtë me Millan Radoiçiqin, të cilin e quajti “terrorist” dhe mik të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Sulmi ka ardhur nga Serbia, fqinji ynë verior, agresiv e armiqësor”, deklaroi Kurti, duke shtuar se të gjitha informacionet e inteligjencës e kanë udhëhequr drejt këtij konstatimi që në orët e para pas incidentit.
Kryeministri u shpreh se procesi gjyqësor do të dëshmojë plotësisht se akti terrorist është planifikuar dhe urdhëruar nga struktura shtetërore të Serbisë, pavarësisht përpjekjeve të Beogradit për ta mohuar dhe për të dezinformuar opinionin publik me veprime hibride.
Kurti kujtoi se këto paralajmërime i ka dhënë edhe më herët në konferencat e jashtëzakonshme për media dhe gjatë vizitës në Varagë, duke nënvizuar se qëndrimet e institucioneve të Kosovës janë mbështetur në të dhëna të sigurta dhe profesionale.
“Integriteti territorial, sovraniteti dhe sundimi i ligjit janë vlera për të cilat nuk do të ndalemi asnjëherë”, tha ai. Kurti shtoi se rasti i fundit dëshmon se në Kosovë terrorizmi nuk mbetet i pandëshkuar dhe se dezinformimi nuk mund të kalojë pa u zbuluar.
Në fund, kryeministri falënderoi institucionet vendore të sigurisë, partnerët ndërkombëtarë – veçanërisht SHBA-në – si dhe qytetarët për kontributin e tyre në forcimin e sigurisë, paqes dhe zhvillimit demokratik të vendit.

