Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mesazh me rastin e 28 Nëntorit, ka theksuar rëndësinë e kësaj date në historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar, duke e cilësuar atë si ditën që lidhet më fort se çdo tjetër me fatin e kombit shqiptar.
Kurti thekson se 28 Nëntori, që nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 1443, e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ka formësuar rrugën e lirisë së shqiptarëve. Ai përmendi edhe figurat dhe ngjarjet kyçe të këtij rrugëtimi, ndër to lindjen e Adem Jasharit më 1955 dhe paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.
“Rrugëtimi ynë historik është një zinxhir i pashkëputshëm nëntorësh, nga Kruja e deri te Prekazi. Të gjitha përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me dy shtetet tona të pavarura”, ka deklaruar Kurti në mesazhin e tij.
Ai u ndal edhe te vizioni për të ardhmen, duke folur për një “Nëntor të Tretë”, që sipas tij duhet të vijë përmes punës, përkushtimit dhe aspiratave të përbashkëta evropiane të shqiptarëve, pavarësisht se në ç’datë mund të bjerë.

