LONDËR – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë që vendi i tij të strehojë azilkërkuesit e refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar, si pjesë e një marrëveshjeje që do të sillte mbështetje për Kosovën në fushën e sigurisë.

Në një intervistë për gazetën britanike The Times, gjatë qëndrimit të tij në Londër për Samitin e Procesit të Berlinit, Kurti theksoi se Kosova e sheh këtë si një akt miqësor dhe politik ndaj Britanisë.

“Kemi kapacitete të kufizuara, por jemi të gatshëm të ndihmojmë. Aktualisht, ekipet tona të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë në kontakt me zyrtarët britanikë për të përcaktuar mënyrën më të mirë të zbatimit të këtij procesi,” deklaroi ai.

Kurti shtoi se, në këmbim të këtij bashkëpunimi, Kosova do të kërkonte mbështetje të drejtpërdrejtë në fushën e sigurisë, përmes marrëveshjeve strategjike, ndihmës me pajisje apo projekte zhvillimore.

“Ne duam të përfitojmë nga ky proces, por mbi të gjitha e shohim si detyrë tonën për të ndihmuar një vend që na ka ndihmuar shumë ndër vite,” tha kryeministri kosovar.

Kjo është hera e parë që Kurti e shpreh publikisht gatishmërinë për një marrëveshje të tillë, pas deklaratave të mëparshme të qeverisë që kishin lënë të hapur mundësinë për ndërtimin e qendrave për azilkërkuesit e refuzuar nga Britania.

Në samitin që do të udhëhiqet nga kryeministri britanik Keir Starmer, pritet që çështjet e migracionit dhe bashkëpunimit rajonal të jenë ndër temat kryesore.

Organizata Human Rights Watch ka paralajmëruar më herët se vendet e Ballkanit nuk duhet të përdoren si “magazina migrantësh”. Përfaqësuesi i saj, Michael Bochenek, kishte theksuar në qershor se edhe pse shtetet e rajonit nuk kanë histori të rënda shkeljesh të të drejtave të njeriut, ato nuk duhet të bëhen objekt i planeve të tilla.

Kosova ka pranuar kohët e fundit të strehojë 50 migrantë nga vende të treta që qëndronin në SHBA dhe është përmendur gjithashtu si mundësi për strehimin e të burgosurve nga Belgjika.

Në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka arritën një marrëveshje për dhënien me qira të 300 qelive në burgun e Gjilanit, ku do të strehohen të dënuar të huaj që do të dëbohen nga Danimarka. Kjo marrëveshje, e cila do t’i sjellë Kosovës mbi 200 milionë euro, do të ndihmojë në modernizimin e sistemit korrektues dhe investimet në energji të ripërtërishme.

Të burgosurit e parë pritet të transferohen në Gjilan në gjysmën e parë të vitit 2027. Më herët, në vitin 2021, Kosova kishte pranuar përkohësisht rreth 1.900 shtetas afganë pas rikthimit të talebanëve në pushtet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *