Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.
Sipas Kurtit, dërgesa humanitare ka një vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije, si dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë, të destinuara për banorët e Gazës që po përballen me kushte të rënda jetese.
Ai theksoi se vendimi për këtë ndihmë ishte marrë që në muajin janar, por realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, e cila sipas tij u arrit nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri shtoi se Qeveria e Kosovës është e para që arrin të ofrojë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës, duke shprehur shpresën se kjo ndihmë do të kontribuojë, sado pak, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Në fund, Kurti shprehu mirënjohje të veçantë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar në realizimin e këtij operacioni humanitar.

