Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ballafaqohet me presionn e shtuar të SHBA-ve dhe BE-së për krijimin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe, por ai vijon të refuzojë këtë propozim.
Kurti insistoi se Asosacioni është antikushtetues dhe se populli është kundër krijimit të tij.
Ai tha se Kosovës i nevojitet njohja nga Serbia, jo një Asosacion i tillë dhe se ky orientim duhet të jetë prioritet në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga aleatët perëndimorë.
“Nuk mendoj që Asociacioni është thjesht një projekt, i cili ka pengesë vetëm kryeministrin. E ka pengesë kushtetutshmërinë, ligjshmërinë, demokracinë, popullin e Kosovës dhe unë nuk besoj që Kosova e ka nevojë urgjente një Asociacion të tillë. Kosova ka nevojë urgjente për njohje reciproke me Serbinë.
Ata të cilët flasin ditë e natë për Asociacionin ndërkohë kur Serbia të thotë se s’të njeh asnjëherë, për besë i ndihmojnë asaj. Nuk është fer [e drejtë] ndaj popullit shumë të vuajtur të Kosovës. Nuk mund të nxirret qerrja para kalit. Njohja reciproke është në qendër. Presidenti Bajden ka thënë normalizim i marrëdhënieve me marrëveshje që e ka në qendër njohjen reciproke. Është gabim i madh në diskursin politik dhe publik të hiqet njohja reciproke prej qendrës e aty të vendoset Asociacioni, siç po duket që po ngjan. Unë nuk mund ta pranoj këtë” – tha Kurti.