Kryeministri i Kosovës tha për A2 CNN se mosmarrëveshjet mes tij dhe Edi Ramës e kanë burimin në dallimet e qëndrimeve për Serbinë dhe presidentin e saj.

Albin Kurti theksoi se pavarësisht dallimeve, bashkëpunimi mes dy qeverive ka prodhuar rezultate konkrete.

“Ne për këto tre vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet t’i kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dy anët e kufirit. Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historik kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër.

Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat.

E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi” – u shpreh Kurti.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *