Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të forta, pavarësisht disa dallimeve që ekzistojnë në nivel diplomatik.
Duke komentuar vendimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për pezullimin e planifikimit të dialogut strategjik, Kurti u shpreh se zhvillimet e fundit nuk duhen nënvlerësuar, por as dramatizuar.
“Raportet me Amerikën nuk janë prishur. Është e vërtetë që kemi dallime, kryesisht në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale të saj në Kosovë. Por kjo nuk prek bazën e partneritetit tonë, që është e ndërtuar mbi vlera dhe interesa të përbashkëta”, deklaroi Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai sqaroi se përveç diplomacisë, në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit bashkëpunimi ka shënuar përparime të mëdha. “Blerja e pajisjeve dhe municioneve ushtarake me administratën aktuale amerikane po ecën më mirë se më parë. Gjithashtu, në ekonomi kemi hequr tarifën 10% për produktet me origjinë nga SHBA-ja, ndërsa Programi i MCC për Kosovën po vazhdon normalisht”, tha Kurti.
Sipas tij, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë më të mëdha se sa çdo qeveri. “Janë të rrënjosura në histori dhe vlera të përbashkëta. Komunikimi ynë me Ambasadën amerikane mbetet i rregullt dhe nuk ka pasur asnjë pezullim të dialogut strategjik si proces, por vetëm të planifikimit për takimin e radhës”, theksoi kryeministri në detyrë.