Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha për Sky News se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka rritur rrezikun për sulme të tjera që mund të vijnë nga Serbia.
Kurti kërkoi nga faktori ndërkombëtar masa të menjëhershme ndëshkuese ndaj Serbisë për aktin e saj të agresionit. Sipas tij, mungesa e ndëshkimit për Serbinë vetëm sa i shërben rritjes së tensioneve dhe shton rrezikun për sulme të tjera.
“Sulmi i 24 shtatorit mund të pasohet nga sulme të tjera nga Serbia. Çdo agression do të marrë përgjigjen e institucioneve tona ashtu si më 24 shtator. Ajo që duhet theksuar është nevoja që faktori ndërkombëtar të marrë masa ndëshkuese për Serbinë pasi në të kundërt, mungesa e ndëshkimit do të lexohet si inkurajim për sulme të tjera ndaj shtetit dhe sovranitetit të Kosovës” – theksoi Kurti.