Duke folur në tubimin elektoral në Mitrovicë, kreu i qeverisë së Kosovës dhe i Lëvizjes Vetëvendosje tha para të pranishmëve se veriu i Kosovës tashmë i është kthyer shtetit.
Albin Kurti shtoi se bandat serbe, targat ilegale, dinari dhe barrikadat nuk do të kenë më vend në shtetin e Kosovës.
“Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më qarkullim të targave ilegale, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më ngritje të barrikadave, nuk ka më dhe nuk do të ketë kurrë më prodhim të kriptovalutave. Fuqia e ligjit të drejtë në Republikën e Kosovës ngadhënjen gjithmonë, cep më cep të Mitrovicës e Republikës së Kosovës,” – tha Kurti.
Ky i fundit akuzoi partitë opozitare se nuk e mbështetën vendosjen e sovranitetit në këtë pjesë të Kosovës dhe, prandaj, e meritojnë ndëshkimin me votë në zgjedhjet e 9 shkurtit.