Kryeministri i Kosovës e cilësoi si absurde kërkesën që vendi i tij të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asosacionit të komunave me shumicë serbe si kusht për pranim në Këshillin e Evropës.
“Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Miroslav Lajcak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra me 24 tetor.
Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg. Neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente.” – u shpreh Kurti.