Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu sërish të njëjtin qëndrim ndaj grevës në institucionet arsimore të vendit duke theksuar se qeveria e drejtuar prej tij nuk mund të shantazhohet nga kërkesat e paarsyeshme të drejtuesve të kësaj greve. Sipas Kurtit, kriza e rritjes së çmimeve ka prekur të gjitha kategoritë sociale dhe jo vetëm mësuesit. Këto deklarata të kreut të ekzekutivit të Kosovës u bënë sot nga foltorja e parlamentit, ku ndër të tjera ai shtoi se qeveria nuk synon triumfalizëm në këtë gjendje të krijuar nga paralizimi i jetës arsimore në vend.


Sindikata e Arsimit në Kosovë vazhdon të insistojë në kërkesën për rritjen e pagave në këtë sektor. Qeveria e Kosovës pretendon, se në ligjin e ri për pagat parashihet rritje e pagave në secilin nivel të arsimit në Kosovë. Sindikalistët nuk duken të bindur nga ky angazhim i qeverisë dhe në bisedimet e zhvilluara për kapërcimin e kësaj situate, krerët e sindikatës kanë kërkuar krahas rritjes së pagave dhe një ndihmë prej 100 eurosh për përballimin e krizës së çmimeve, ndihmë kjo e akorduar nga qeveria Kurti për disa kategori në Kosovë, përfshirë studentët dhe pensionistët. Kjo kërkesë është konsideruar si e papërgjegjshme nga ana e kryeministrit Kurti, duke risjellë në vëmëndje se buxheti i limituar i shtetit të Kosovës nuk mund të përballojë të tilla kërkesa.


Rreziku real i kësaj greve, në arsyetimin e kryeminstrit të Kosovës, qëndron në rrezikun se ajo mund të shoqërohet me greva pasuese nga të tjera kategori e kësisoj, vendi do të shkonte drejt kaosit të paevitueshëm social e institucional. Thirrjet e vazhueshme të Kurtit për ndalimin e grevës vazhdojnë të injorohen nga drejtuesit e sindikatës. Asnjë nga palët nuk tërhiqet nga pozicionet respektive, ndërkohë që nxënësit e shkollave në Kosovë po mbushin një muaj nga fillimi zyrtar i vitit shkollor pa asnjë ditë mësim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *