Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston një mundësi reale që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, në rast se nuk arrihet zgjedhja apo rizgjedhja e presidentit të ri brenda afatit kushtetues.

Në një intervistë për “KosovaPress”, Kurti theksoi se para se të diskutohet për çështjen e presidentit, institucionet duhet të përmbushin disa hapa thelbësorë: konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe miratimin e buxhetit për vitin 2026. Ai nënvizoi se pa buxhet të miratuar, nuk mund të organizohen as zgjedhje të reja.

“Nëse deri më 4 mars nuk arrijmë ta zgjedhim ose rizgjedhim presidenten, ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që të shkojmë prapë në zgjedhje. Por për këtë duhet të jemi të përgatitur dhe ta kemi buxhetin e votuar”, tha Kurti.

Ai u shpreh i rezervuar sa i përket mbështetjes për një mandat të dytë të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, duke theksuar se një takim me të është i domosdoshëm për të diskutuar interesimin dhe mundësitë reale për sigurimin e 80 votave të nevojshme në Kuvend.

Kurti theksoi se marrëveshjet ndërkombëtare që kërkojnë votat e opozitës mund të shërbejnë si indikator për gatishmërinë politike edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai shtoi se nuk është e shëndetshme të flitet për zgjedhje pa u përmbushur më parë obligimet institucionale.

Duke folur për opozitën, Kurti tha se mbetet e paqartë se si do të sillen partitë opozitare në muajt në vijim, veçanërisht në proceset vendimmarrëse që kërkojnë konsensus më të gjerë politik.

Sa i përket formimit të Qeverisë, Kurti deklaroi se kjo do të ndodhë menjëherë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja, ndërsa prioritet absolut do të jetë miratimi i buxhetit të vitit 2026.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *