Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci u prit në një takim në Prishtinë nga kryeministri Albin Kurti.
Temë qendrore e takimit ishte rritja e bashkëpunimit mes Shkodrës dhe Gjakovës si dy kryeqendra historike dhe kulturore në hapësirën shqiptare.
Pjesë e diskutimeve ishte dhe projekti i rrugës Shkodër-Gjakovë, rrugë kjo e kërkuar prej vitesh nga komunitetet respektive.
Kjo rrugë do të rriste ndjeshëm kapacitetet e zhvillimit të turizmit dhe shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve mes dy qyteteve historike shqiptare.
“Pata kënaqësi të veçantë të takoja sot në zyrën e tij Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe Gjakovës dhe rifuqizimi i lidhjeve historike e kulturore ndërmjet dy qyteteve tona ishte në fokus të këtij takimi.
Biseduam edhe për një projekt infrastrukturor rrugor që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, si një mundësi shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në këtë zone.” – shkroi Beci në fejsbuk pas takimit.