Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij dhe koalicioni me “Guxo” e “Alternativa” janë fitues të zgjedhjeve.
Në një fjalim para simpatizantëve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kurti vlerësoi se procesi zgjedhor ishte demokratik dhe paqësor, duke falënderuar autoritetet për angazhimin e tyre.
“Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik, i cili nuk ka pasur incidente. E falënderoj edhe policinë edhe mekanizmat, por kështu ndodh kur është Qeveria jonë. Kur ekzekutivi jemi ne, s’ka incidente e procesi demokratik është cilësor, i vërtetë, i lirë, i ndershëm,” tha Kurti.
![img44251png | Kumti](https://kumti.net/wp-content/uploads/2025/01/img_4425-1-1.png)
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij, qeveria është përballur me sulme të shumta, por pavarësisht kësaj, opozita nuk ka arritur të marrë mbështetje nga qytetarët.
“Kurrë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit,” theksoi ai.
Kurti përdori një gjuhë të ashpër ndaj opozitës, duke e akuzuar për mashtrime dhe premtime të pamenduara.
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin se buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më të lartë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kaluar koha e hajvanatit,” tha Kurti.
Me këtë mesazh, ai la të kuptohet se Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të vazhdojnë drejtimin e qeverisë me mbështetjen e shumicës së votuesve.