Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, deklaroi se pati një takim të frytshëm me Vladimir Putinin në Moskë, ku e falënderoi këtë të fundit për mbështetjen që Rusia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Serbisë.
Ndryshe e lexon këtë takim kryeministri i Kosovës. Në një postim në “X”, Albin Kurti thekson se takimi i patriarkut serb me Putinin në Moskë është një lajm i keq dhe, mbi të gjitha, një kërcënim serioz për rajonin e Ballkanit.
Sipas Kurtit, kleriku serb nuk shkoi në Moskë për diplomaci religjioze, por për të dërguar mesazhe të qarta kërcënimi për fqinjët e Serbisë në rajon, në partneritet me Rusinë.
“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke theksuar se ‘anija e vogël (serbe) që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci religjioze, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz” – ka shkruar Kurti.