Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rolin e rëndësishëm të Francës për sigurinë e Evropës dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar Parisin si një aktor kyç brenda Bashkimit Evropian.
Në një takim me ministrin francez të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad në Samitin e Procesit të Berlinit, Kurti ka nënvizuar nevojën që Kosovës t’i dorëzohet pyetësori dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Gjatë bisedës, palët diskutuan për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës, zhvillimet e fundit në rajon, sigurinë dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës dhe për partneritetin mes dy vendeve. Ai theksoi se vlerat e përbashkëta krijojnë mundësi të reja për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Në kuadër të Samitit, Kurti është takuar edhe me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, me të cilin ka biseduar për çështjet e sigurisë dhe migracionit.

