Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke nderuar luftëtarët e lirisë që me guxim dhe sakrificë e jetësuan idealin e çlirimit të vendit.
Në një status të publikuar më 30 dhjetor, Kurti thekson se kjo datë është zgjedhur me domethënie historike, pasi më 30 dhjetor 1991 forcat policore serbe kryen aksionin e parë kundër familjes Jashari në Prekaz, duke shënuar një nga momentet e para të rezistencës së armatosur që do të çonte drejt luftës çlirimtare.
Ai kujton se policia serbe kishte shkuar për ta arrestuar Adem Jasharin, por u përball me rezistencë të armatosur nga Rifati, Hamza dhe Ademi, të cilëve iu bashkuan bashkëfshatarë, kushërinj dhe luftëtarë të tjerë. Prekazi, sipas Kurtit, u shndërrua atë ditë në arenë përballjesh, me dhjetëra të ndaluar dhe të arrestuar, mes tyre edhe Shaban Jashari.
Kurti thekson se dalja e Rifatit, Hamzës dhe Ademit nga rrethimi policor nuk ishte vetëm shpëtim fizik, por edhe shpëtim i projektit kombëtar për çlirimin e Kosovës. Ai rikujton edhe sulmet e mëvonshme ndaj familjes Jashari, deri te rënia heroike e Adem dhe Hamzë Jasharit në mars të vitit 1998.
Në fund, kryeministri nderon veteranët e UÇK-së, duke i cilësuar si bashkudhëtarë të dëshmorëve dhe dëshmitarë të sakrificës për liri.
“Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me veprën tuaj e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës dhe keni hapur rrugën e shtetndërtimit të Republikës sonë,” ka përfunduar Kurti.

