Kryeministri i Kosovës kërkoi hetim nga shteti i Serbisë dhe nga organizmat ndërkombëtar lidhur me vrasjen e shtetasit Faton Hajrizi i akuzuar për vrasjen e një polici në Serbi.
Kurti tha gjatë mbledhjes së qeverisë se rasti në fjalë nuk duhet anashkaluar ndërsa kërkoi nga opinion publik në Kosovë që të mos e heroizojë Faton Hajrizin si model patriotizmi.
“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e Faton Hajrizit, dhe institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacion zyrtar. Së fundmi përmes MPJD jemi informuar nga drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe me 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të njëjtat shenja së bashku me shenjat e qytetarit Faton Hajrizi janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit drejtoria e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ka pranuar se këto shenja i takojnë shtetasit Faton Hajrizi.
I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizmit dhe romantizmit të tij. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku i vrarë në Banjskë, patriot janë edhe 23 pjesëtarë të PK të rënë në krye të detyrës.”- tha Kurti.