Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjnë përpjekje maksimale për të shmangur zgjedhjet e parakohshme lidhur me zgjedhjen e presidentit. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit në Kuvendin e Kosovës është 4 marsi.
Kurti ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandidat të veçantë për president, dhe as Partia Demokratike e Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë emra të përveçëm.
Ai u takua së fundmi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke diskutuar mundësinë e gjetjes së një kandidati që siguron 2/3 e votave në Kuvend.
“Nevojiten të paktën 83-85 deputetë për të garantuar zgjedhje të suksesshme; mungesa e vetëm një deputeti mund të na detyrojë të shkojmë në zgjedhje. Përpjekja jonë është të shmangim një situatë të tillë në gjysmën e parë të vitit 2026,” tha Kurti.
Ai po ashtu theksoi se VV-ja nuk ka mbledhur ende nënshkrime për asnjë kandidat, ndërsa PDK dhe LDK nuk kanë minimumin e kërkuar prej 30 nënshkrimesh për të propozuar kandidatë. Sipas Kurtit, edhe bashkimi i votave të VV-së dhe LDK-së nuk garanton siguri për të shmangur zgjedhjet.
Megjithatë, Kurti shprehu optimizëm për një zgjidhje, duke theksuar konstruktivitetin e partive dhe mungesën e interesit për zgjedhje të parakohshme. Ai shtoi se bashkimi me AAK-në nuk është i domosdoshëm për diskutimet e fundit, pasi shumica e deputetëve gjenden në VV, PDK dhe LDK.

