Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e xhudos si një nga sukseset më të mëdha që Kosova ka ndërtuar dhe prezantuar si shtet në sport. Ai u shpreh gjatë vendosjes së gurthemelit për zgjerimin e Qendrës Kombëtare të Xhudos në Pejë, në lagjen që ai e quajti “lagjja e kampionëve të botës”.
“Sot nuk po vendosim vetëm një gur themeli, por po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës. Xhudoja është një armë fituese dhe krenaria e shtetit tonë në sport”, tha Kurti.
Kryeministri vlerësoi punën e jashtëzakonshme të xhudistëve kosovarë, të cilët kanë sjellë medalje të arta nga Lojërat Olimpike në Rio dhe Tokio, duke e bërë Kosovën një pikë referimi për sportet luftarake në arenën ndërkombëtare.
Projekti i ri i Qendrës Kombëtare të Xhudos përfshin një palestër të re me standarde ndërkombëtare, një objekt multifunksional me akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant. Ky investim synon të krijojë kushtet që xhudoja e Kosovës të vazhdojë përparimin, të forcojë rolin e saj si qendër stërvitore në Evropë dhe të kontribuojë në zhvillimin e sportit, turizmit dhe ekonomisë në vend.
Pikërisht këtu, në hapësirat e palestrës së re, do të zhvillohen edhe garat e sporteve luftarake në kuadër të Lojërave Mesdhetare 2030. Aktualisht, aty po stërviten sportistë nga Ukraina dhe ekipe të tjera ndërkombëtare.
