Rasti i anijes së kompanisë “Maersk” që transportonte mbetje të dyshuara të rrezikshme ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar dhe një seri hetimesh. Organizata mjedisore “Basel Action Network” (BAN) ngriti alarmin pas zhdukjes së anijes “Maersk Campton” afër Cape Town, duke besuar se ajo dhe një anije tjetër e linjës “Maersk Candor” transportonin mbetje të rrezikshme nga porti i Durrësit në Shqipëri drejt Tajlandës.
Mbetjet e dyshuara, që sipas BAN vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD), janë ngarkuar nga një kompani shqiptare dhe janë të destinuara për përpunim në vende që nuk janë anëtare të OECD-së, gjë që ngre shqetësime serioze për menaxhimin e sigurt të tyre. Hetimet e mëtejshme janë duke u zhvilluar nga Prokuroria e Durrësit dhe Zyra kundër Mashtrimit e Komisionit Europian (OLAF), ndërsa kontenierët janë bllokuar në Singapor dhe pritet të rikthehen në Shqipëri për verifikim.
Kompania shqiptare e përfshirë, “Sokolaj” sh.p.k, dhe prodhuesja e këtyre mbetjeve, kompania turke “Kurum International” që operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, janë bërë objekt hetimi nga autoritetet shqiptare dhe nga Zyra kundër Mashtrimit e Komisionit Europian (OLAF).