Nga Lutfi Dervishi
Pyetja që mbetet sot nuk është: “Kush e vrau gjyqtarin?”
E marrim të mirëqenë se politika ka përgjegjësitë e veta, qeveria përgjegjësitë, media dhe prokurorët, si dhe gjyqtarët popullorë që kanë kthyer tastierën në kallashnikov, kanë pjesën e tyre. Por…
Pyetja më e vështirë është: Kush do ta gjykojë drejtësinë?
Sepse nëse ajo nuk e gjykon veten, do ta gjykojë turma. Dhe turma nuk njeh as ligj, as kanun, as falje.
Nëse autori i krimit (dhe familjarët e tij) kërkojnë ndjesë, turma kërkon shpagim! Nuk janë të paktë njerëzit që kanë mllef ndaj drejtësisë. 120 mijë dosje janë kapicë në pritje për gjykim. Vetëm në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari në tavolinën e punës, punojnë 31 gjyqtarë, kur duhej të ishin 78. Çdo ditë shtohen dosjet, çdo ditë akumulohen vonesat, çdo ditë grumbullohen pakënaqësitë.
45,374 dosje janë në pritje në këtë gjykatë (statistikë e muajit shtator), prej të cilave 33,000 janë transferuar nga gjykatat e mbyllura. Çdo vit shtohen rreth 13,000 dosje. Reforma premtoi pastrim, por solli paralizë.
Vetëm 67% e gjyqtarëve dhe 65% e prokurorëve janë në punë. Me më pak se dy të tretat e trupës, sistemi funksionon duke u çapitur dhe zvarritur.
Drejtësia me këtë ritëm vonohet aq shumë sa të heq shpresën dhe çon në dëshpërim.
Dhe ndërsa dosjet grumbullohen në gjykata, shteti paguan faturat. Vetëm dekadën e fundit, për shkarkime të padrejta, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 17 miliardë lekë. Mijëra çështje të fituara kundër administratës tregojnë se padrejtësia nuk është rastësi, por një model pune.
Vetë qeverisja e gjyqësorit ka kusuret e veta. Krimi nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë dhe godinat, por edhe me funksionimin e sistemit. Pas shtatë vitesh nga ngritja e institucioneve të reja të reformës në drejtësi, asnjë gjykatë (përveç Gjykatës së Lartë) nuk ka kryetar të emëruar. Këshilli i Lartë Gjyqësor, që duhet të garantojë funksionimin e sistemit, ende nuk ka miratuar rregulloren për drejtuesit e gjykatave.
Humbja e jetës së gjyqtarit duhet të jetë një moment i vërtetë ndërgjegjësimi, jo një status 24-orësh në Facebook. Institucionet drejtuese duhet të dalin nga heshtja dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Qeverisja e gjyqësorit duhet të kishte dalë prej kohësh me plan emergjent për plotësimin e vendeve bosh në gjykata. Me ritmin e tanishëm, do të duheshin 13 vjet për të plotësuar vendet bosh në gjykata e prokurori. Thjesht nuk mund të vazhdohet kështu.
Padrejtësia, ose ndjesia e padrejtësisë, është aq e madhe sa tek viktima një pjesë nuk sheh gjyqtarin, por drejtësinë e cënuar. Dhe e konsideron ngjarjen si një akt dëmshpërblimi.
Ka njerëz në sistemin e drejtësisë që i shohin qytetarët si miza. U duket vetja mbinjerëzorë. Mendojnë se mund të bëjnë gjithçka dhe ndaj kujtdo!
Nuk mund të vazhdohet duke normalizuar idenë se është normale që një proces civil në një shkallë gjykate të zgjasë 7 vjet, që duhet të ndërhyjë ambasada për të zbardhur vendimin gjyqësor për një shtetas të saj, që një gjyqtar të gjykojë 10 çështje në ditë, që burgimi pa afat për çështje banale të jetë refren, apo se shkrirja e gjithë gjykatave të Apelit është histori suksesi. Nëse dikush e ka harruar, duhet të kujtohet se mbyllja e gjykatave u bë për “hartën e re gjyqësore”.
Esponentët e gjyqësorit sa herë dalin në publik flasin dhe kërkojnë pavarësi. Nuk flasin kurrë për problemet e brendshme të drejtësisë dhe si mendojnë t’i zgjidhin ata. Aq shumë flasin, sa krijohet përshtypja se janë krijuar vetëm për të kërkuar pavarësinë. Duket se për ta misioni është pavarësia, dhe vetëm për atë shqetësohen. Shpresojmë që një ditë të flasin edhe për drejtësinë, që të fillojmë të shpresojmë se po mendojnë për të.
Dhe ja ku kthehemi te pika fillestare: Kush do ta gjykojë drejtësinë?
Nëse institucionet drejtuese të sistemit (KLGj, KLP) nuk e zgjidhin paralizën dhe nuk plotësojnë vendet bosh, ata po ftojnë një gjykim tjetër. Po ftojnë shpagimin. Askush të mos mashtrohet se zemërimi popullor është rastësor. Ai është fryt i vonesave, mbingarkesës dhe arrogancës së perceptuar. Kjo tragjedi duhet të jetë alarmi i fundit: ose drejtësia e gjykon veten shpejt dhe me efikasitet, ose e pret një gjyq që nuk respekton asnjë rregull. Zgjedhja nuk është midis reformës dhe status-quo-së; është midis rendit ligjor dhe shpagimit të turmës.