Nga Habjon Hasani
Le të shkojmë për një moment me imagjinatë në kompjuterin që mban database-n e USAID, të cilin e ka marrë nën kontroll ekipi i Elon Musk. Imagjinojmë sikur aty gjendet një dosje, një folder, që mban emrin “Financim i autobusëve elektrikë për Bangladeshin”. Imagjinoni sikur pasi klikojmë këtë folder, na shfaqen dokumente, të dhëna apo një listë pagesash, dhe shpenzimesh operative të dedikuara për SPAK-un, KLGJ-në, e KLP-në, ndërsa ata që ne i njohim si krerë të drejtësisë në Tiranë, te ky projekt të jenë me përshkrim të koduar si shoferë, faturino, apo ekip mirëmbajtje autobusësh, xhenerikë.
Tani le të shkojmë me imagjinatë të Prokuroria e Posaçme, SPAK-u. Imagjinoni Altin Dumanin dhe kolegët e tij që në tre vitet e fundit kanë bombarduar me burgime të përjetshme, disa nga vrasësit më të pamëshirshëm që ka njohur vendi, disa prej të cilëve janë betuar se nëse bien në postbllok policie do qëllojnë, nuk dorëzohen. Imagjinoni sikur një ditë trupa e SPAK-ut ta gjejë veten pa mbrojtje speciale në Tiranë dhe pa garanci në SHBA-, atje te projekti, te USAID.
A nuk janë prokurorët tanë realisht të rrezikuar?
Këto dy situata imagjinative janë pigmenti i info-analizës që ka për objekt ky shkrim, i konceptuar në dy kapituj.
Kapitulli I – Shfarosje në Washington
Në Youtube ekziston një video amatore ku dëgjohen tingujt e këngës së Baftjarit të Ylli Bakës. Aty shfaqen duke kërcyer ish-Presidenti Ilir Meta, ish-ambasadori amerikan Donald Lu, Fatmir Mediu e plot të tjerë.Por ca më tej pistës së kërcimit, vetëm një sy i vëmendshëm ose dikush i informuar mund të dallojë siluetën e një amerikani jo fort të zakonshëm.
Ai quhet Peter Marocco.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio e ka emëruar atë si drejtor të ri të USAID-it prej disa javësh.
Videoja është e vitit 2018, ndërsa Peter Marocco bashkë me një ekip amerikanësh kishin ardhur (ndër të tjera) në Tiranë dhe për të kërkuar garanci që pas votimit të reformës në drejtësi, organet e reja të drejtësisë të ishin të balancuara dhe të kishte “check and balance”.
Por Edi Rama ishte i qetë, ai kishte një plan dhe kishte informacion më tepër nga sa mund të imagjinonte delegacioni amerikan. Sigurisht që këtë supremaci ai e kishte nga lidhja vëllazërore me George Soros.
Grupit të Peter Maroccos në Washington po i përgatitej çmontimi, ata do asgjësoheshin njëherë e mirë nga linja liberale.
Peter Marocco është një ”fellow”, kështu quhen anëtarët e përzgjedhur të asaj që njihet si “Mëngjesi i Lutjeve” në Amerikë, një linjë e pastër kristiane evangjeliste e cila ndasinë kryesore me linjën liberale të Soros ka qëndrimin mbi familjen dhe gjininë.
Asgjësimi i tyre shihej si e vetmja mënyrë për t’i këputur Donald Trumpit ndoshta krahun më të fortë, si dhe për t’i hapur rrugën dominimit absolut të linjës liberale në makinerinë gjigande të burokracisë amerikane, burokraci e perandorisë.
Pas një viti, Netflix (platformë televizive filo-liberale) publikoi një dokumentar të quajtur “The Family”, në formë investigimi.
Aty shfaqen dhe disa dosje vizualisht ku përmendet Shqipëria dhe ndikimi i një kongresmeni amerikan të quajtur Robert Aderholt i cili është gjithashtu një “fellow” i “Mëngjesit të Lutjeve”, mik për kokë i Fatmir Mediut dhe kongresmeni që në vitin 2017 shkroi letër zyrtare për rrezikun e shndërrimit të reformës në drejtësi në një armë politike të krahut sorosian.
S’do ishte çudi që dhe në vitin 2025 ai të ketë ndërmarrë ndonjë nismë të ngjashme.
Një tjetër mik i Fatmir Mediut i quajtur John Ratcliffe, është gjithashtu “fellow” i Mëngjesit të Lutjeve dhe aktualisht shërben si kreu i agjencisë së inteligjencës më të fortë në botë, CIA.
Në fakt këta nuk janë gjë tjetër veçse grupi më besnik i Donald Trump, të cilët në ndryshim dhe nga disa anëtarë të familjes së tij biologjike, i qëndruan pa ekuivok në mbështetje në ditën më të zezë të karrierës së tij, kur humbi zgjedhjet dhe u krijua incident në Capitol Hill më 6 janar 2021.
George Soros nuk e ka patur dhe aq keq planin për të goditur këtë grup, pasi siç ngjarjet e 6 janarit e treguan, ky grup qëndroi me stoicizëm në mbështetje të Trumpit.
Pasi në Presidencë hyri Joe Biden, nisi ç’montimi i këtij grupi.
Kurrë më parë në historinë e Mëngjesit të Lutjeve, kjo organizatë nuk u izolua siç ndodhi nga viti 2021 e në vijim. Kurrë më parë njerëzit e saj nuk ishin luftuar me aq pathos dhe deshirë për asgjësim absolut.
Goditja dhe çmontimi vijoi dhe në Tiranë. Shënjestra kryesore ishte Fatmir Mediu. Ndoshta njeriu më kyç i grupit të Mëngjesit të Lutjeve në Evropën Juglindore. Nuk kishte limite duhej të shfaroseshin.
Fatmir Mediu në vitin 2009 po përjetonte një dramë familjare pasi djali i tij ju nënshtrua një operacioni transplanti shumë delikat.
“Nëse im bir do ketë nevojë për të dytën, merrini të dyja veshkat te unë dhe mos më zgjoni”, – u ka thënë Mediu mjekëve në atëkohë.
Por ndërsa ky moment dhe kujtim ishte një dramë e rëndë familjare, organet e drejtësisë në Tiranë, futën në process hetimi dhe operacionin e djalit të tij.

U kërkua me letër-porosi epikriza dhe shpenzimet që Mediu kishte bërë për sëmundjen e të birit.
Loja ishte bërë më shumë se personale në vitin 2021, heshta dhe bajoneta kishin hyrë deri te veshka e të birit.
I skeduar asokohe si personi që po nxiste këto hetime ishte Erion Veliaj, në fakt Veliaj, ashtu si në rastin e konfliktit me Armando Dukën apo të tjerë, nuk po bënte gjë tjetër veçse po mbulonte me zell lojën dhe porositë e Edi Ramës.
Ishte Edi Rama dhe linja Soros-Blinken porositësi i kësaj strategjie për të shfarosur këtë grup, mirëpo këto lëvizje asgjesuese të tyre i dinte Robert Aderholt, i dinte ai që sot u bë shef i USAID, i dinte ai që sot është bërë shef i CIA-s dhe sigurisht që i dinte dhe Marco Rubio. I dinin dje, i dinë dhe sot.
Edhe Edi Rama e di që ata e dinë, ndaj ka arsye tepër serioze që të jetë i shqetësuar, ose i tmerruar.
Teoritë dhe spekulimet mediatike se Edi Rama po josh Trumpin me ishullin e Sazanit, janë thjesht një fiasko e Ramës, ti nuk mund të joshësh me një ishull dikë që ka fuqinë absolute për ta marrë ishullin pa të pyetur fare ty.
Imagjinoni pak, Trump flet për zbritjen e teknologjisë në planetin Mars, për marrjen e Kanalit të Panamasë, për marrjen e Groenlandës dhe Kanadasë, ndërsa në fshatin tonë flitet se këtë njeri dhe grupin e tij, Edi Rama nga Tirona do e joshë me një ishull ku do ndërtohen ca vila piktoreske (!).
Nuk funksionon kështu, sidomos kur ata që kanë ardhur në pushtet në Washington e dinë mirë se pikërisht Rama dhe linja e tij ka lozur “all in” për t’i shfarosur dhe jo thjesht për t’u zbehur ndikimin.
Gjasat janë që “hasmi” i Ramës në Washington të jetë shumë më i kthjellët dhe i fortë nga çfarë i mendonte Rama në 2021-in apo nga çfarë i kap imagjinata Ramës sot.
Kapitulli II – SPAK-u si armik publik
Edi Rama nuk është i shqetësuar për Erion Veliajn e as për Belinda Ballukun, ai është i shqetësuar për veten. Rama ka lozur i qetë dhe në mbështetje të SPAK-ut deri në momentin kur kuptoi se këtë lodër nuk e kishin më në dorë miqtë e tij, por tashmë në dorë e ka një linjë krejt tjetër, të cilën 6 vite më parë Rama dhe liberalët, tentuan ta asgjësonin përfundimisht.
Në Hashtag prej disa muajsh janë publikuar artikujt kritikë me SPAK-un që hidhnin dritë në disa metoda repressive që ushtronte ky institucion ose në ekzagjerime dhe shkelje proceduriale flagrante. (Lexo këtu dhe këtu).
Mirëpo nuk dukej sikur kryeministri e vinte ujin në zjarr, kur këto shkelje proceduriale ndëshkonin persona që atij nuk i interesonin.
Për të befas, SPAK-u u shndërrua në një makineri shtypëse dhe repressive e procedurës dhe të drejtave të njeriut, pikërisht kur ai mori provën se “lodra” e re nuk komandohej më nga miqtë e tij në Washington apo nga linja e tij Soros-Blinken.
Ky nuk është një raport i një kryeministri me shtetin e së drejtës, ky është thjesht raporti i një individi me frikërat e veta dhe befasinë e fatit.
Sot SPAK-u është shpallur thuajse armik publik në Tiranë, sepse dhe opozita dhe Rama kanë ndarë mendjen për ta goditur.
Mirëpo siç thonë dhe amerikanët “let’s check the numbers”.
Nëse sot dikush bën këto pyetje:
-A ka patur ndonjë prokuror i 30 viteve të fundit produktin dhe rezultatin që ka patur Altin Dumani?
Sigurisht që jo.
-Gabimet e Altin Dumanit dhe grupit të tij apo shkeljet proceduriale që ata mund të kenë bërë janë më të vogla apo më të mëdha se proçkat që kanë bërë paraardhësit e tyre në 30 vitet e fundit?
S’ka diskutim që gabimet e tyre janë shumë më modeste.
Por le të vazhdojmë me numrat dhe shifrat:
-A është sot sistemi i prokurorive dhe gjykatave pas reformës në drejtësi në një kolaps të paprecedent ku qytetarët u duhet të presin dhe 7 vite që t’u ezaurohet çështja sepse prokurorët e gjyqtarët anembanë Shqipërisë janë të përmbytur nga numri i dosjeve?
Të gjitha statistikat thonë se sistemi është në një kolaps të paprecedent krahasuar me 30 vitet e fundit.
Pra gjendemi përpara një paradoksi.
Reforma ka prodhuar kolaps të sistemit të së drejtës, ndërsa i vetmi segment i drejtësisë që shpallet armik publik është SPAK-u, që rezulton deri sot i vetmi segment me efiçencë më të lartë.
Kaq mjafton për të kuptuar me “rregull treshi” se kryeministri ynë Edi Rama as nuk do t’ja dijë fare për shtetin e së drejtës, ai thjesht ka gjetur shtegun e vetëm si të përballojë frikërat e veta pas 20 janarit.
Opozita nga ana tjetër gjendet përpara një tehu të rrezikshëm. Sepse mund ta gënjejë mendja se lodra e SPAK-ut mund të kalojë nën ndikimin e mbështetësve të saj dhe papritur të bëhet Berisha mbrojtës i kësaj strukture në vijim.
Nëse e bën, do bëjë gafën e jetës, sepse ky sistem nuk është as sistemi i tij dhe as sistemi i së drejtës shoqërore shqiptare, ky është thjesht një sistem i konceptuar, financuar dhe zbatuar nga linja liberale e Soros dhe ky sistem as nuk de-kodifikohet dot nga Berisha dhe as mund të kontrollohet dot prej tij.
Është një lodër që ai nuk ka as aksesin e as kapacitetin për ta përdorur. Ndoshta do jetë më keq për të nëse mendon se mund ta përdorë vet.
Berisha dhe Rama sot kanë shansin e artë që të ulen në tryezë jo si dy kllounë të Trumpit apo Sorosit, por si dy shqiptarë, të thërrasin me pjekuri të gjithë faktorët dhe të ndërtojnë një sistem juridik që u jep shpresë dhe garanci shqiptarëve.
Një Pax-Patria që ndoshta do i futë të dy në histori si burra shteti dhe jo si nënprodukte projektesh, qofshin këto projekte të Soros apo qofshin projekte të Trumpit.
Ne nuk jemi amerikanë, ne jemi shqiptarë.
Nëse do na duhet të përballim rrymat dhe presionet që na vijnë nga Perandoria, e mira është ta bëjmë si shqiptarë dhe jo si nënprodukte projektesh.
Berisha e ka bërë njëherë këtë eksperiment në vitin 1992, kur përzuri gjithë plejadën e policëve, ushtarakëve, ekonomistëve, juristëve dhe inxhinierëve të kohës së komunizmit.
Shteti i tij kolapsoi dhe sistemi që ai ndërtoi ishte banal dhe vulgar.
Qofshin shqiptarë të Sorosit apo shqiptarë të Trumpit, të gjithë ata që janë implikuar me të dyja kampet janë në radhë të parë shqiptarë dhe Berisha apo Rama nuk mund të arsyetojnë në nivelin e vulgut e mllefit të rrugës apo lumpenit që i mbështet, ata janë elitë në këtë vend dhe rangu i arsyetimit të tyre duhet të jetë në rang elite drejtuesish, jo rang projektesh burokratësh anglishtfolës.
Se siç e tregoi koha, ai USAID-i i tmerrshëm që u çmontua në janar, ashtu mund të ri-montohet pas 4 apo 8 vitesh.
Prapë nënprodukte të këtyre eksperimenteve atje lart në Washington do jemi?
Altin Dumani dhe prokurorët e tij nuk kanë asnjë inferioritet moral ndaj Berishës dhe Ramës, nëse SPAK është thjesht një projekt banal në duart e USAID sot dhe Sorosit dje, nuk janë më pak banale ledhatimet që Rama i bën familjes Soros, apo pathosi që Berisha i atashohet Trumpit.
Shndërrimi i Altin Dumanit dhe SPAK-ut në armik publik, do ishte gjëja më e gabuar e mundshme, sidomos në kushtet kur ekipi i tij ka rezultatet më të mira në tre dekadat e fundit dhe ndoshta është e vetmja hallkë suksesi e kësaj reforme të çuditshme në drejtësi që u zbatua në koloninë tonë.
Berisha dhe Rama nuk duhet t’i hedhin në kosh prokurorët që presupozohen më të mirë që ka ky vend sepse do biem në grackën e përhershme të një kolonie banale.
Le të dalin e të pranojnë hapur se kjo reformë ishte një gabim i madh dhe se prokurorët e kësaj strukture janë po aq kurriz-përkulur ndaj USAID sa ç’janë vet Rama ndaj Sorosit e Berisha ndaj Trumpit.
Le të dalin e të kërkojnë një referendum për ndërtimin e një sistemi drejtësie funksional dhe në shina Kushtetuese, që unë, ti apo kushdo të gjejë garanci kur shkon në gjykatë, që prokurorët e djeshëm apo ata të sotshmit në BKH të mos sillen si gangsterë me subjektet që hetojnë.
Është kjo ajo për të cilën ka realisht nevojë vendi, por gjithnjë duke njohur punën dhe meritat e këtij ekipi prokurorësh të SPAK-ut që do apo s’do Berisha, do apo s’do Rama, është ekipi me shifrat më të mira të suksesit në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë.
Duke synuar një sistem profesional dhe garantues të së drejtës, që nuk ndjen detyrime as te fondacioni Soros dhe as te linja trumpiste.
Sepse ndodh që amerikanët i mbyllin fare projektet me një të rënë të lapsit, siç bënë në Afghanistan dhe ty nuk të mbetet gjë tjetër veçse të presësh afganët e tyre këtu, apo të vish vërdallë nëpër ishullin e Sazanit me shpresën se Trumpit do i teket një ditë ta kërkojë Sazanin për ta shndërruar në Guantanamo nr.2. / Hashtag.al