Nga Ermal Mulosmani

10 milionë turistë në 2023-shin! – shpërtheu lajmi-sihariq për të gjithë shqiptarët!

Dhjetëra mijëra italianë, polakë, gjermanë, francezë, norvegjezë, spanjollë, maqedonas, serbë e kombe të tjerë vërshuan aeroportin e Rinasit a pikat e tjera kufitare për t’u mahnitur me Maldivet shqiptare.

10 milionë turistë sikur 400€ të kenë harxhuar mesatarisht për kokë i bie 4 miliardë €!

Ose rreth 2 mijë euro të thata për kokë banori. Pra një familje me tre vetë (siç është familja ime) do të ketë fituar 6 mijë Euro!

Por, në fakt, unë jo vetëm nuk kam parë kokërr euroje nga kjo eldorado shqiptare e turizmit por edhe kam shpenzuar edhe një 1.2 mijë Euro për nja 5 ditë që shkova në Porto Palermo e Borsh që u pendova 500 herë që shkova!

Atëherë kush i mori këta 4 miliardë euro të 10 milionë turistëve?

J’ua them unë. Filloj me Çetin. Pjesa më e madhe e këtyre turistëve (sipas statistikave të bëra publike -7 milionë turistë) mbërritën nga Rinasi. Kështu, Çeti sikur të ketë marrë një 10 €/turist i thonë një 70-she milionëshe e mirë. Aq sa e bleu aeroportin për 16 vjet.

Pjesa tjetër janë hotelet luksoze të shpërndara nga jugu në veri. Biznesmenë vendas që shfrytëzojnë fëmijë adoleshentë me paga simbolike kanë privatizuar çdo cep të bukur bregdeti, çdo skutë ëndërrash ku dikur mund të shkonim me bukë djathë e domate, të ndiznim zjarre e të këndonim natën serenata. Sot mund të numërohen me gishtat e dorës plazhe të tilla (Gjipe p.sh) derisa të vijnë “investitorët strategjikë” dhe të na përzënë me traun racist.

Ky grusht i vogël njerëzish morën pjesën e luanit të kësaj torte turistike. Sigurisht morën ndonjë kafshatë edhe pronarë restorantesh, shitës dyqanesh dhe banorë të zonës që dhanë shtëpitë me qira por edhe këta nuk janë aq shumë. Janë gjithsej një grusht fshatrash të jugut që morën thërimet e tortës, ndonjë shtim xhiroje nëpër dyqane. Kaq.

Por 95 % e shqiptarëve nuk fituan absolutisht asgjë përveçse harxhuan kursimet vjetore për hotele dhe plazhe të dorës së dytë dhe u shtuam të ardhurat 5 % përfitues.

Prandaj mua më vjen të vjell sa herë shoh fryrjet boshe me 10 milionë turistë e 4 miliardë Euro të ardhura. Ato para i ndanë me njëri-tjetrin të njëjtit njerëz që na zaptuan plazhin publik ne.

Pasuria publike, plazhi i Palasës, Dhërmiut, Jalës, Sarandës, Dhërmiut janë me tra dhe roje. Ata na ndalojnë të hyjmë brenda dhe pretendojnë prej nesh që të gëzojmë për fitimet kolosale të tyre në emër të rritjes së turizmit?! Kurrë në botë!

Kjo është rritje galopante e vjedhjes së pronës publike me bekimin e qeverisë dhe popullit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *