Nga Sebastian Zonja

Një ngjarje e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Vlorës meriton vëmendjen tonë – të medias, pasi është kërcënuar një gazetare; të shoqërisë civile, pasi ka dyshime për përdhunim në grup; dhe të autoriteteve përkatëse, pasi dyshohet se janë të përfshirë persona nga familje me pushtet në qytetin bregdetar.

Policia ka shkruar në njoftimin e saj, të dielën, se ka arrestuar dy të dyshuar për rastin.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit O. T., 31 vjeç dhe A. C., 28 vjeç, si dhe vijon puna për kapjen e shtetasit G. M., 32 vjeç, të tre banues në Vlorë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë nxitur një 26-vjeçare, që të përdorë lëndë narkotike, dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me të.”, njofton policia.
Oltjan Tahiri, Albi Ceno dhe Gentjano Mehmeti kanë qenë në shoqërinë e një vajzë 26 vjeçare. Pasi kanë darkuar disa orë duke pirë alkool dhe kokainë janë ngjitur në dhomat e hotelit. Ata kanë qëndruar me vajzën deri në orët e para të mëngjesit dhe kur ajo ka pësuar gjendje të fikti e kanë hedhur në rrugë. Kamerat e subjektit që shërben si restorant dhe hotel në Vlorë e kanë filmuar të gjithë ngjarjen. Një nga punonjësit e hotelit që e ka parë skenën e flakjes në rrugë të 26 vjeçares është afruar për ta parë nga afër vajzën dhe ka njoftuar Policinë e Vlorës.

Mediat lokale shkruajnë se familjarët e atyre që dyshohet se kryen këtë akt kanë shkuar pranë reanimacionit të Spitalit të Vlorës ku ndodhej në gjendje shoku 26-vjeçarja dhe e kanë detyruar të ndryshojë dëshmi duke thënë se ka shkuar “me dëshirë” me tre djemtë.
Ndërkohë, gazetarja Afrovita Hysaj ka raportuar shumë profesionalisht për ngjarjen duke zbardhur dinamikën dhe duke denoncuar me emra personat që dyshohet se kanë kryer këtë akt të rëndë. Gazetarja Hysaj u sulmua nga televizioni vlonjat “6+1″ pasi aludoi se në përdhunimin e 26-vjeçares morën pjesë 4 djem dhe jo 3 siç raportoi policia. Sipas këtyre aludimeve, autori i dyshuar i katërt është vëllai i drejtoreshës së televizionit në fjalë. Ndërsa dy autorë të tjerë të dyshuar i kanë motrat drejtoresha në Bashki.

Duhet theksuar se lajmi i rëndësishëm mbetet zbardhja e plotë dhe nxjerrja përpara drejtësisë për të dyshuarit për përdhunimin e vajzës. Ajo është abuzuar dhe më pas hedhur në rrugë. Mbështetja ndaj koleges tregohet më së miri duke zbërthyer lidhjet që ajo ka denoncuar të pushtetit dhe ekonomisë në qytetin bregdetar me tentativën për të fshehur ngjarjen e rëndë.
Kush ka interes ta fsheh këtë ngjarje makabre – një vajzë e re e përdhunuar në grup dhe e flakur në cep të rrugës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *