Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin në detyrë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, vendim i cili ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama. Përmes një deklarimi publik, Rama u shpreh se ky vendim është prova që ai “nuk i ka kapur pushtetet”, duke iu referuar akuzave të opozitës për kontroll mbi sistemin e drejtësisë.
Sipas kryeministrit, vendimi i Kushtetueses krijon një situatë të veçantë, pasi nëse zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës nuk mbahen deri në vitin 2027, atëherë, sipas tij, është e padrejtë që qyteti të mbetet pa drejtuesin e zgjedhur.
Reagimi i Ramës
“Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur të tëra pushtetet. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027 dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë mbajtja e tij në qeli është jo vetëm në dëm të lirive të tij, por edhe në dëm të së drejtës së qytetarëve për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i tyre”, shkruan Rama.
Ai shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet parë si përplasje politike, por si një qëndrim parimor që pritet të ndikojë edhe në vlerësimin e masës së arrestit për Veliajn në vijim të procesit.
“Kushdo që ka mundësi të ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi duhet të kujtojë se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite”, përfundoi ai.

