E përditshmja e njohur italiane La Repubblica i kushtoi një shkrim pretendimeve të Sali Berishës për manipulim të procesit zgjedhor më 11 maj.

Kjo media e cilëson si një “sulm politik” angazhimin e Berishës për denoncimin e krimeve zgjedhore.

Artikulli i plotë:

Sali Berisha nuk dorëzohet dhe, njëmbëdhjetë ditë pas numërimit të votave që i dhanë fitoren kryeministrit aktual Edi Rama, vazhdon të denoncojë manipulimet. Ish-kryeministri i moshuar, lideri i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë, ka treguar në një konferencë për shtyp ato që ai i konsideron prova të operacioneve të paligjshme, që i kanë mundësuar Partisë Socialiste të fitojë me një diferencë prej gati 20 pikësh. Ai kërkon formimin e një “qeverie teknike” dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Berisha flet për “qindra dokumente” që, sipas tij, provojnë akuzat dhe tregon një video në të cilën shihen 117 fletë votimi të vulosura dhe të gatshme për t’u përdorur në një bar në Pekisht, afër Elbasanit, në dispozicion të një kryeplaku që – sipas tij – do t’i ofronte ato për socialistët.

“Shihni, tavolina është plot me euro dhe karta identiteti në masë të madhe. Kjo është tavolina e krimit zgjedhor,” tha ai para gazetarëve të pranishëm në konferencën që u zhvillua në selinë e tij në Tiranë.

Sipas Berishës, kundërshtarët e tij kanë përdorur masivisht metodën e quajtur “treni bullgar”, që konsiston në shpërndarjen, nga ana e votuesve pas daljes nga qendra e votimit, të fletëvotimeve të bardha, të cilat pastaj shkëmbehen me fletë të parapërgatitura në këmbim të një shume parash.

Berisha thotë se ka denoncuar gjithçka në autoritetet gjyqësore, megjithëse nuk beson te veprimet e SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (ai vetë, përkundrazi, është nën gjykim për skandale të vjetra ku dyshohet të ketë qenë i përfshirë).

Nga rrethi i Ramës minimizojnë këtë çështje: “Janë akuzat e zakonshme, ai i bën këto në çdo raund zgjedhor.”

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se “nuk ka marrë informacione për raste të ‘trenit bullgar’, por rastet duhet të hetohen nga organet e drejtësisë”. Ai shtoi se, në çdo rast, “nuk ka pasur kontestime mbi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”.

Ditën pas zgjedhjeve, vëzhguesit e OSBE-së (Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë) publikuan një raport – pjesërisht të kundërshtuar nga Rama – ku denoncoheshin situata të tilla: “Në shumicën e rasteve, votimi është vlerësuar pozitivisht. Megjithatë, në 4.6 për qind të 995 vëzhgimeve, një numër mjaft i lartë, procesi është vlerësuar negativisht, kryesisht për shkak të mangësive procedurale dhe disa presioneve ndaj votuesve.”

By Editor