Në Shëngjin dhe Gjadër, qendrat e emigrantëve të Melonit janë pothuajse gati për t’u hapur. Nuk ka “kanalizime? I shkarkojmë në lumin Drin. Vendasit kanë nisur të bëjnë lek me qiratë.
Nga Niccolò Zancan – La Stamp”a –
Ka një problem që mbetet. Rrjeti i kanalizimeve. “Për momentin është vendosur që gjithçka të hidhet në lumin Drin. Sipas informacioneve të mia, emigrantët e parë mund të mbërrijnë këtu nga data 10 shtator deri në fund të muajit. Ata po nxitojnë për t’i çuar atje” – thotë Aleksandër Preka, administratori komunal i këtij qyteti të vogël në veri të Shqipërisë.
Një vend i harruar në hartën e botës, i famshëm për një aeroport ushtarak të mbyllur në 1996 dhe asgjë tjetër. “Kemi qenë 3 mijë banorë në kohën e komunizmit, kemi mbetur 600. Por tani po vijnë të gjithë këta njerëz të rinj dhe ata që do të vijnë”.
Tashmë është e qartë, e dukshme për syrin, një kamp i përcaktuar mirë. Aty është fusha, kontejnerët, rrjetat, gardhet. Kudo ka karabinierë dhe policë italianë.
“Këtë shtëpi e kemi dhënë me qira për një shumë prej 30 deri në 50 euro në muaj. Ushtarët tuaj e kanë marrë 400 euro në muaj për dy vjet”, – thotë Aleksander Preka nga dyqani i tij i ushqimeve. Është i vetmi dyqan në disa kilometra që shet qepë, hudhra, patate, pije të gazuara, ëmbëlsira dhe cigare.
Heshtjen, rreth e rrotull, e thyen vetëm kova e një ekskavatori që ende godet mbi tokën e djegur për të vendosur tubat e fundit. Qendra e parë e paraburgimit të emigrantëve italianë e ndërtuar në tokë të huaj tashmë është gati.
Nuk ka asnjë dyshim se puna vazhdon edhe në portin e Shëngjinit. “Hotspoti” për 300 persona mund të hapej që nesër. Ndodhet midis varkave, plazhit dhe një parku të vogël argëtimi. Ai do të jetë ndalesa e parë për emigrantët që nisen drejt Italisë dhe që do të deportohen në Shqipëri, një zgjedhje e qeverisë italiane në marrëveshje me qeverinë shqiptare.
Nga atje ata nuk do të shohin asgjë. I gjithë perimetri është i rrethuar nga një kafaz i lartë 7 metra. Por mbase do të dëgjojnë këngët e fundit të verës që gjëmojnë nga lokalet buzë detit. Më pas, pas procedurave të identifikimit, ata do të ngarkohen në autobusë dhe do të dërgohen në Gjadër. 15 kilometra në brendësi të vendit.
Aty mungon ende lidhja me kanalizimet. Këtu fillojnë problemet. Qendra e paraburgimit administrativ Gjadër është ndërtuar nga e para. Toka ishte e papërshtatshme edhe për një kasolle. Nuk kishte themele. Nuk kishte asnjë sistem elektrik, nuk kishte ujë. Kjo është arsyeja e vonesave.
Dje ata po testonin lidhjen e internetit, e cila do të jetë thelbësore për të menaxhuar në distancë mijëra raste për mijëra jetë njerëzish në pritje të gjykimit. Pranohet apo refuzohet? Kur do ta disponojnë zyrtarët italianë këtë punë? Me çfarë sigurie juridike? Kampi do të ketë
Për ndërtimin e dy strukturave deri më tani janë shpenzuar 800 mijë euro. Por është një shpenzim i llogaritur si parazgjedhje, të cilit i mungojnë të gjithë ata “zëra të pamatshëm në fund të listës” që kanë të bëjnë me udhëtimin, ushqimin dhe akomodimin për ata që do të marrin pjesë ose që do të duhet të marrin pjesë në këtë operacion në Shqipëri.
Ishte dashur të ishte gati që në maj. Do të jetë në ditët në vijim, më së voni në vjeshtë. Të gjitha punimet janë të autorizuara me procedura të veçanta. Materialet u blenë nga qeveria italiane nga kompani në Trento, Colaziocorte dhe Carimate. Ato janë pjesë për ndërtimin e kontejnerëve të cilat përgjithësisht përdoren për të zhvendosurit nga tërmetet ose ndonjë fatkeqësi tjetër.
Sot punëtorët që ngritën kampin janë shqiptarë, kosovarë dhe malazezë. Ata punojnë gjithë verën, edhe të shtunave dhe të dielave, sepse e dinë atë frazë që përsërit kryetari i bashkisë së qytetit. “Ata janë me nxitim për të marrë emigrantët e parë. Nuk mund të vonojmë më”.
Dhe në fakt ka nisur rekrutimi për 300 punëtorë shqiptarë që do të duhet të mbështesin operatorët italianë në menaxhimin e dy ambienteve të paraburgimit. Njoftimi i sapo publikuar nis kështu: “Kompania Medihospes e cila do të menaxhojë kampet e refugjatëve Shëngjin dhe Gjadër, duke filluar nga muaji gusht, kërkon staf emergjence për shërbimet brenda kampeve sipas profileve të mëposhtme”. Kërkojnë psikologë, ndërmjetës kulturorë, përkthyes, punonjës socialë, teknikë IT.
Për një “punonjës për shërbime të thjeshta”, punë që përfshin detyrat e shpërndarjes dhe dërgesës së ushqimit, shoqërimin e emigrantëve, pastrimin e akomodimit dhe ambienteve të përbashkëta, paga bazë do të jetë 1200 euro në muaj për 38 orë punë në javë. “A e dini sa merr një mësues i shkollës së mesme shqiptare? Më pak se 600 euro në muaj”.
Në lokalin e vetëm në Gjadër flasin për këtë. Për paratë që po mbërrijnë bashkë me emigrantët. Për faktin se punëtorët në këtë zonë nuk kishin fituar asnjëherë 30 euro për një ditë pune. “Po bëj të gjitha instalimet për lidhjen në ueb”, thotë punëtori Andrit Prenga.
“Jemi pranë përfundimit të punës. Por ende mungojnë kontejnerët e fundit, mungon porta e hyrjes, pastaj është problemi se ku do të shkarkohen ujërat e zeza”. Ata kanë vendosur që do të derdhen në lumë, dhe nga lumi në det. “Këtë bënim edhe në kohën e ushtarëve shqiptarë me shërbim në aeroportin ushtarak. Ishin 5 mijë ushtarë. Mund ta bëjmë sërish”.
Në luftën mes të varfërve, të fundit do të jenë ata brenda kafazeve. Ata janë gati t’i mbushin ato. Anijet e të dëbuarve janë gati të mbërrijnë. “Nuk është aq e lehtë të ikësh nga këtu. Mali u dogj. Nuk do të mund të fshihen nëpër bimësi. Dhe gjithsesi, nëse duan të ikin, le të ikin. Të gjithë e dimë se nuk do të qëndrojnë tek ne”.
Në drejtim të bregut, rreshtat e ndërtesave 12-katëshe ndërpresin pamjen e horizontit dhe fshehin detin. Njëri e ka mbuluar restorantin e tij të ri me piktura ku paraqitet “kumbara” Giorgia Meloni. Rreshtat e çadrave janë ende të mbushura me turistë përgjatë bregdetit të Shëngjinit.
Po cilët janë turistët e Shqipërisë? Vetë shqiptarët, të cilët kthehen në shtëpi nga e gjithë Europa për pushime. “Nuk e di nëse ajo që do të ndodhë këtu është e drejtë” – thotë Artur Bahiti. “Por për mua emigrantët janë të mirëpritur. Sepse edhe unë kam qenë emigrant dhe nuk do ta harroj kurrë”.