Arti i të kënduarit dhe interpretimit të lahutës – një nga simbolikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare – është përfshirë zyrtarisht në listën e UNESCO-s për pasuri jomateriale që kërkojnë mbrojtje urgjente.

Kjo traditë shekullore, e kultivuar kryesisht në trevat veriore dhe zonat malore, mishëron eposin e Kreshnikëve dhe baladat e vjetra shqiptare, të cilat përcjellin vlerat e trimërisë, qëndresës, nderit, besës dhe mikpritjes.

Nisma për përfshirjen në listën ndërkombëtare u realizua nga një grup studiuesish, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Përmes kërkimeve në terren, konsultimeve me komunitetet dhe dokumentimit të detajuar, dosja përfundimtare iu dorëzua UNESCO-s në mars të vitit 2024, duke plotësuar standardet më të larta të organizatës.

Lahuta shqiptare, një instrument tradicional me një tel, është e përhapur kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë. Ajo punohet zakonisht nga druri i gështenjës ose lisit, me tela prej hekuri apo çeliku, dhe karakterizohet nga forma e saj e gjatë e e hollë me një kokë rezonatore të gdhendur artistikisht.

Përdorimi i saj është i lidhur ngushtë me këngët epike dhe rrëfimet historike të lahutarëve, si ato të Mujit e Halilit apo Gjergj Elez Alisë. 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *