Ministri i Brendshëm, Besford Lamallari, ka zgjedhur të mos komentojë sot mbi zhdukjen e Ervis Martinajt, gjatë një konference për procesin e integrimit të vendit. Ai ka theksuar se informacioni mbi hetimet është në duart e prokurorit të çështjes dhe të oficerëve të policisë gjyqësore.
“Kërkesa juaj për koment nuk mund të adresohen nga unë, sepse do të kërkonte përfshirjen e një titullari politik në një çështje operacionale. Vlerësimin mbi hetimet e bëra e kryen vetëm prokurori i çështjes. Të dhënat i disponojnë vetëm oficerët e policisë gjyqësore dhe hierarkia e tyre sipas urdhërave të prokurorit. Nuk mund të ketë asnjë koment nga ana ime për afatet, sepse ato përcaktohen nga kompleksiteti i çështjes,” ka thënë Lamallari.
Pak ditë më parë, babai i Ervis Martinajt ka lëshuar akuza ndaj institucioneve të drejtësisë lidhur me fatin e djalit të tij, duke rritur presionin mbi autoritetet për zbardhjen e çështjes.
