Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se forca politike që ai drejton është trajtuar si një “forcë e përjashtuar”, ndonëse është e treta në vend për nga numri i votave. “Na trajtojnë si lebrozë, e keni parë. Sepse ne jemi forca anti-sistem. Ne jemi forca e tretë në vend nga numri i votave dhe na trajtojnë sikur nuk jemi për këta,” tha Lapaj, duke kritikuar mënyrën si, sipas tij, sistemi politik mban jashtë alternativat e reja.
Ai shtoi se nëse “Shqipëria Bëhet” do të ishte përqendruar vetëm në qarqet e Tiranës dhe Vlorës gjatë zgjedhjeve të 11 majit, do të kishte siguruar të paktën tre mandate. “Po të ishim fokusuar vetëm në këto dy zona, do t’i kishim prodhuar pa frikë tre mandate. Por ne nuk duam të bëhemi parti enklave, duam një forcë me shtrirje kombëtare,” u shpreh Lapaj.
Në vijim, ai krahasoi raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e viteve 2021 dhe 2025, duke i cilësuar ato si tregues të një “kthimi pas” në standardet zgjedhore. “Raporti i 2025-it është shumë më kritik. Në 2021 thuhej se votimi ishte korrekt, ndërsa tani konstatohet se qendrat e votimit nuk kanë qenë më plotësisht të fshehta. Kjo tregon dështim institucional,” argumentoi ai.
Sipas Lapajt, sistemi zgjedhor ekspozon pabarazi të theksuara në ndarjen e mandateve. “Në Vlorë, Partia Socialiste me 64 mijë vota mori nëntë mandate. Po aq vota ne na dhanë vetëm një. Kjo tregon sesa i deformuar është sistemi,” shtoi ai.
Duke iu referuar planeve të ardhshme, Lapaj tha se “Shqipëria Bëhet” është duke ndërtuar infrastrukturën politike dhe duke u shtrirë në të gjithë territorin kombëtar.
“Ne po punojmë ditë pas dite në terren, sepse e besojmë që Shqipërisë i duhet një forcë kombëtare e re,” përfundoi ai.

