Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme para godinës së Kryeministrisë, ku kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u lëndua në kokë gjatë ndërhyrjes së Policisë së Shtetit për shpërndarjen e protestuesve.
Sipas njoftimit zyrtar, Lapaj u godit aksidentalisht nga një bombol gazi dhe u transportua në Spitalin Universitar të Traumës. Pas ekzaminimeve mjekësore, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por vijon të qëndrojë nën mbikëqyrjen e mjekëve.
Ministria bën të ditur se gjatë mbrëmjes në spital janë paraqitur gjithsej pesë persona, përfshirë dy efektivë të Policisë së Shtetit. Njëri prej tyre ka marrë ndihmën e nevojshme dhe është larguar, ndërsa tjetri vijon të jetë i shtruar. Po ashtu, dy protestues të tjerë janë trajtuar nga stafi mjekësor dhe më pas kanë lënë ambientet e spitalit.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se të gjithë personat e paraqitur për ndihmë mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

