Presidenti i Barcelona, Joan Laporta, ka folur hapur për marrëdhënien e tij me Lionel Messi, duke pranuar se raporti mes tyre është krisur.
Laporta ka treguar për Radio Katalunjën se gjatë ceremonisë së Topit të Artë 2023, Mesi refuzoi ta përshëndeste. Largimi i argjentinasit nga Barcelona nuk u realizua siç pritej, gjë që ndikoi në marrëdhënien me drejtuesit e klubit.
Megjithatë, presidenti i klubit nënvizoi se 7 herë fituesi i Topit të Artë ka statusin e një legjende të Barçës dhe meriton një nderim të veçantë: një statujë në Kamp Nou.
“Marrëdhënia me Mesin nuk është më si ka qenë. Pati një incident te Topi i Artë, kur unë shkova ta përshëndesja dhe ai ndjeu se nuk duhej ta përshëndesnim njëri-tjetrin. Që nga ai moment kemi bërë disa përpjekje për të rilidhur dhe shpresoj që kjo do të ndodhë në të ardhmen. Marrëdhënia është e dëmtuar, por ai mbetet një legjendë e Barcelonës,” tha Laporta.

