Andriy Yermak, krahu i djathtë i presidentit Volodymyr Zelensky dhe një nga figurat më të fuqishme të qeverisë, ka dhënë dorëheqjen, pasi u bë subjekt i një hetimi të gjerë antikorrupsion që ka tronditur Kievin. Emri i tij përmendej në përgjimet e çështjes “Mida” me pseudonimin “Ali Baba”.
Një ekip i Agjencisë Kundër Korrupsionit (NABU) dhe Prokurorisë Speciale (SAPO) u paraqit në rezidencën e Yermakut në lagjen qeveritare të Kievit, me një urdhër kontrolli për shtëpinë dhe zyrën e tij. Edhe pse dokumenti nuk specifikonte akuza konkrete, ai ishte sinjali më i qartë se hetimet kishin mbërritur në nivelet më të larta të pushtetit.
Prej vitesh, Yermak shihej si “kardinali gri” i Ukrainës – njeriu më me ndikim pas presidentit. Ai ishte në krah të Zelensky-t qysh natën e parë të pushtimit rus, duke u shfaqur në videon e famshme të kryetarit të shtetit para Shtëpisë së Kimerave. Por skandali i korrupsionit, i konsideruar më i madhi që prej nisjes së luftës, e ka dobësuar ndjeshëm pozitën e tij.
Pas shpërthimit të skandalit presioni publik dhe politik iahte i menjëhershëm: rreth 70% e qytetarëve kërkuan largimin e tij, ndërsa aleatët perëndimorë paralajmëruan se lufta kundër korrupsionit është kusht kyç për integrimin evropian dhe për mbështetjen amerikane. “Yermak është një element toksik”, kishte thënë një diplomat i BE-së për Kyiv Independent.
Zelensky, i cili më herët kishte tentuar ta mbronte Yermakun madje edhe me ndryshime ligjore që kufizonin kompetencat e organeve të hetimit, kësaj here nuk pati zgjidhje tjetër veçse të bënte publikisht të ditur dorëheqjen e shefit të stafit, duke e falënderuar atë për “shërbimin e tij patriotik ndaj vendit”.

