Skuadra e Leçes ka shënuar një rritje të ndjeshme në performancën e saj këtë sezon, dhe fitorja e fundit ndaj Torinos e ka larguar përkohësisht nga zona e rrezikut, ku ndodhej pak javë më parë. “Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një artikull këtij përmirësimi, duke theksuar se “thesari” i skuadrës është reparti i mesfushës, që po bën diferencën në lojë.
Medon Berisha, djaloshi i Kombëtares shqiptare, ka treguar një rritje të jashtëzakonshme, duke gjetur pozicionin ideal pas sulmuesit dhe duke dhuruar paraqitje me rendiment shumë të lartë. Në ndeshjen kundër Torinos, ai dha dy asiste (për Kulibali dhe Banda), duke e çuar numrin e tyre në tre për këtë sezon. Përveç dy asisteve Berisha numëron edhe dy gola kundër Udinezes dhe Fiorentinës, duke arritur në pesë pjesëmarrje në gola – më shumë se çdo shok tjetër i skuadrës.
“Berisha interpretoi këtë rol shumë mirë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Më shërbente në këtë rol sepse e dija që mund t’u shkaktonte vështirësi kundërshtarëve”, deklaroi trajneri Di Françesko pas ndeshjes.

