Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është liruar nga qelia pas katër vitesh qëndrimi në burg. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), e cila ka hequr masën e sigurisë “arrest me burg” në lidhje me çështjen e inceneratorit të Fierit.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, sa i përket dënimit prej 6.8 viteve për inceneratorin e Elbasanit, Koka ka fituar lirinë me kusht nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë, për dënimin që lidhet me inceneratorin e Tiranës, ish-ministri e ka shlyer kohën e dënimit përmes periudhës së paraburgimit.
Dosja e inceneratorit të Fierit është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm, pasi shkalla e parë e kishte dënuar Kokën me 6.8 vite burg. Gjithashtu, ai ka marrë shuarje të masës “arrest në burg” edhe për çështjen e Tiranës, pasi dënimi me dy vite për “shpërdorim detyre” konsiderohet i ezauruar nga koha e kaluar në paraburgim.
Lefter Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021, pasi ndaj tij u ngritën akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me inceneratorin e Fierit. Sipas SPAK-ut, për këtë projekt janë paguar rreth 4 milionë euro për punë të pakryera, ndërsa dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit vlerësohet në 60 milionë lekë.

