Fragment nga letërkëmbimi i Prof.Ernest Koliqi me Mustafa Merlika-Kruja
Romë, 3 nanduer 1957
Piazza Ungeria, 6
I dashtuni Mustafë,
…
Të falem nderit për fjalët trimnuese për sa i përket botimit të rivistës e sidomos për artikullin e çmueshëm i cili âsht në shtyp dhe tetë sy do të përpiqen m’e bâ qi të dali pa asnji gabim. Këta tetë sy janë: dy të prof. Koliqit e gjashtë të dr. Martin Camaj, të dr. Petro Vuçani e dr. Viktor Koliqi. Si shef ké rá butë në nji grumbull laresh akademike…
Kah fundi i javës tjetër kryhet së shtypuni numri dyfish(2-3) i “Shêjzave” me artikuj të Valentinit, t’Ekrem Vlorës, të disa arbreshvet me vlerë, të Lok Limthit ( Tahir Kolgjini), të Karl Gurakuqit etj. etj.
Mbas numrit të parë, shkresa lavdimi e nxitimi mjaft, – pajtime pak. Edhe ata pak nga njerz të thuesh të pa-mênduem!
…
Ti do të thuesh:- Pse i a hîne, more makalush?
Pata premtime të forta edhe, jam prap i bindun se, herët a vonë, prej dikah do të dali përkrahja. Atëherë, po qe se del, me shka të teprojë nga fondet, e kemi vendosë me Martinin të botojmë Hyjt e Shêjzave( I quaderni delle Pleiadi). Ndër të parët libra( jo tepër të mëdhenj), nji t’andin.
E shof, nga letrat, se jé tue kapërcyem nji fazë të rëndë pesimizmi. Do të habiteshem, po t’ishte ndryshej. Por, Mustafë i dashun, kjo e pat! Jemi nji ndër brezni mâ fatmjera qi njofti historija njerzore. Kurr qëllime mâ bujare dhe forca mendore e morale mâ të kullueta nuk u shkrinë për dobi të nji kombit tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje. Disa të rij (shty prej ndonji plaku dinak) këlthasin e shesin patrjotizëm edhe mênd, por s’kanë shtatin moral që kishin krénat e zgjedhun të breznis porsa të kalueme apo në kalim, se mâ vullnetin e tyne në punë kurrkund.
…
Nejse…Ti mos u lodh. Njâna dysh: Ja do të két Shqipni e asobote ti do të përmêndesh kur të gjithë prozhmuesat do të jenë me kohë të harruem, ja Shqipnija mbaron e mbetet shprehje e shprazët gjeografike e popullsue me bastardha Kozakësh e atëhere s’kemi ç’të bâjmë e do t’i shtrohemi fatit të zi.
Rivista ka dalë për me u dhânë shteg disave nesh me lânë nji trashigim shpirtnuer. Djelmia shum gjâna nuk i din, tjera i gjikon e verbuem nga pasjoni: prej soje asnji zâ i naltë deri tash nuk tingulloi. Kanë nevojë për drejtim e për shêmbuj. “Shêjzat” dolën për me i udhëhjekë e për me u lanë nji traditë. Ishem i bindun se ti, Valentini, Gurakuqi, Marlekaj, Ekrem beu etj do të pranojshi ftesën t’eme për bashkpunim. Prandaj e qita. Pi muejtëm së bashku m’e vazhdue, do të çuditemi edhe na vetë( në krye t’vjetit) për efektet mirbâse qi do të prodhojë…
Të përqafon me mall
I yti vllaznisht
Ernest Koliqi