Gjenevë, 1921
Zotëri!
Lidhur me shkresën time nr. 1107, datë 3 mars 1921, kam nderin t`Ju informoj se ekceset e serbëve kundër shqiptarëve, të cilët janë nënshtetas të sundimit serb prej vitit 1912, janë duke u bërë dita më ditë më të furishme, kështu që elementit shqiptar po i kërcënohet rreziku i shfarosjes totale.
Shqiptarët, që jetonin në trevat në kufirin serbo-turk, të konsistuar në mënyrë formale, janë plaçkitur, janë dëbuar nga fshatrat e tyre, janë zëvendësuar nga kolonistë rusë.
Nëpunësit serbë, civilë e ushtarakë, po bëjnë vazhdimisht akte të plaçkitjes, të dhunimit, të djegies e të vrasjes në mbarë krahinën e Kosovës.
Vetëm gjatë tre muajve të kaluar më shumë se dymijë shqiptarë janë vrarë pa kurrfarë arsyeje të dukshme dhe mos të përmendim shtëpitë që janë rrënuar e të mirat, që janë plaçkitur.Shumë shqiptarë, të cilët ikën para këtyre ekceseve, arritën ta kalonin kufirin dhe të strehoheshin në teritorin e Shqipërisë së pavarur.
Serbia, ndërkaq, tash vonë deklaroi se familjet e këtyre të ikurve do të internohen dhe pasuria e tyre do të konfiskohet.
Në emër të paqes e të humanitetit, të cilat ka marrë përsipër t`i ruajë, Ju lutem t`ua tërhiqni vërejtjen Fuqive të Mëdha për këto fakte që të marrin masat e duhura dhe të sigurojnë mbrojtjen e këtyre popullsive kombëtare të pambrojtura.
Me nderime
Mid`hat Frashëri
Kryetar i delegacionit shqiptar