Nga Enver Bytyçi
Një analist paska “zbuluar” se 45 mijë letra kanë shkruar e dërguar në Akademinë Norvegjeze e Suedeze për të kundërshtuar dhënien e çmimit Nobel për shkrimtarin Ismail Kadare! Dhe nga ky zbulim i “Amerikës” rrjetet sociale kanë shpërthyer në urrejtje kundër vetë qenies shqiptare.
Edhe unë nuk e shoh të arsyeshme, madje e vlerësoj shumë të gabuar një reagim të tillë të shqiptarëve. Por këtu ka dy vlerësime anti-logjike në kohë e në hapësirë.
E para, ato letra i kanë shkuar akademive Nobel – dhënëse në vitet 1990, menjëherë pas rrëzimit të sistemit komunist. Asokohe, ashtu si sot, ne shqiptarët ishim në depresion. Në të dy kohët është investuar ndër ne shumë urrejtje, mosbesim, dasi, përçarje! Kultura e përçarjes, inateve, shfryrjes së egoizmave na vjen prej kohës kur shumë nga ne i kontribuam kësaj fryme. Ismail Kadare edhe më shumë se tjerët ushqeu tiparet që janë shfaqur kundër tij.
E dyta: – Karma kthehet, thuhet. Ajo që mbjell do të rritet, piqet e korret. A mbolli Kadare urrejtje dhe inate si personalitet politik, por edhe si shkrimtar?! Unë them se po dhe nuk do ta fajësoj për këtë. Por pse duhet të habitemi me ato 45 mijë letrat kundër tij?! A po mbjell sot politika të njëjtën urrejtje dhe hasmëri brenda nesh? Sidomos politika në pushtet! Më saktë vetë kreu i ekzekutivit tonë?! Gjithkush e sheh se si injektohet edhe sot, si në kohën e diktaturës, urrejtja dhe hakmarrja, pra përçarja ndër ne shqiptarët nga ana e përfaqësuesve në pushtet!
Po Kadare pse duhet që edhe sot, në të ashtuquajturën demokraci e në këtë moshë, të bëhet palë me ata që janë në pushtet e “masakrojnë” në të gjitha mënyrat kundërshtarët e tyre?! Unë besoj se Kadare është së paku njëri prej nesh, në mos më kontributor se ne, për injektimin e të njëjtës kulturë dhune, inatit, urrejtje dhe përçarje.
Në vend të flitet për këto, mallkohen 45 mijë shqiptarë që kanë shprehur kundërshtinë e tyre që Kadare të marrë çmimin Nobel. Edhe vetë autori i “zbulimit” të numrit të madh të letrave është një prej atyre që gjysmën e njerëzve pranë pushtetit e sheh si të nënës dhe gjymën tjetër kundërshtare të pushtetit e sheh si të njerkës.
Mjaft më me maska e dy fytyra! Kadareja dhe gjyshja e Rilindjes na mbollën kulturën e urrejtjes. Ndërkohë që Rilindja e sotme ia ka kaluar edhe gjyshes së saj, e megjithatë, Kadare i qëndron ende pranë.