“Lëvizja Bashkë” me anë të një postimi të rrjetet sociale shprehu mbështet jepër punëtiret e fasonerisë në firmën “Alba Shoes” në Vlorë të cilët po protestojnë prej 4 ditësh për mospagimin e sigurimeve shoqërore dhe mosdeklarimin në kohë të pagave nga drejtuesit e firmës.
“Sot është dita e katërt e protestës së punëtoreve të fasonerisë “Alba shoes group” në qytetin e Vlorës.
Protesta lidhet me mospagesën e sigurimeve shoqërore nga kompania për më shumë se 8 muaj, mosdeklarimin e plotë të pagave dhe mosshlyerjen e tyre në afat, me transferimin e detyruar të punëtoreve në një tjetër ndërtesë të kompanisë, si dhe padrejtësi të tjera në kundërshtim me Kodin e Punës.
Përfaqësues të Inspektoratit të Punës, që duhet të mbronin punëtorët, dje janë paraqitur në ambientet e kompanisë dhe kanë kërcënuar punëtoret që të pranojnë kushtet e pronarit. Sot punëtoret kanë protestuar para kompanisë dhe brenda ambienteve të Inspektoratit, qëndrimi i të cilëve vazhdon të jetë në shkelje të të drejtave themelore të punëtorëve.
Aktivistë të Lëvizjes BASHKË i janë bashkuar protestës, në solidaritet me punëtoret, dhe do të jenë përkrah tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të drejta!” – shkruhet në postim.