Lëvizja Bashkë zhvilloi sot një protestë antikorrupsion në kryeqytet, ku pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Gjatë tubimit, organizatorët dhe protestuesit renditën një sërë akuzash ndaj qeverisë, duke përmendur shkatërrimin e rafinerisë së Ballshit dhe abuzimet me sektorin e naftës, keqpërdorimin e burimeve minerare dhe pasojat fatale për minatorët, si edhe zhdukjen e fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë, që sipas tyre ka çuar në braktisjen e fshatrave.
Në protestë u kritikua gjithashtu urbanizimi i pakontrolluar në Tiranë dhe betonizimi i bregdetit, trajtimi i pensionistëve përmes bonuseve të përkohshme, si dhe mungesa e mbështetjes për organizimin e punëtorëve. Protestuesit ngritën shqetësime edhe për emigrimin masiv, duke theksuar se në vitet e fundit qindra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga vendi.
Sipas deklarimeve gjatë protestës, gjendja e shëndetësisë dhe arsimit publik është përkeqësuar, ndërsa të rinjtë e arsimuar përballen me punësim sezonal dhe pasiguri ekonomike gjatë pjesës tjetër të vitit.
Protesta u mbyll me thirrje për hetim të aferave të dyshuara korruptive dhe për përgjegjësi politike nga drejtuesit e qeverisë.

