Kreu i Policisë së Shtetit ka miratuar një sërë ndryshimesh dhe emërimesh të reja në drejtimin e disa Drejtorive Vendore të Policisë në vend.
Sipas burimeve paraprake, Vilson Bala është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, ndërsa Islor Islami është caktuar përkohësisht në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë. Po ashtu, Afrim Tafa do të ushtrojë përkohësisht detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Ndërkohë, për Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vendosur të revokojë dorëheqjen e Drejtuesit Fatmir Hoxha. Ky vendim është marrë pas vlerësimit të rezultateve të konsideruara të larta të arritura nga DVP Elbasan gjatë fundit të vitit 2025.
Si pasojë, Fatmir Hoxha do të vijojë të mbajë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

