Nga Sebastian Zonja

Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë”, Mid’hat Frashëri

Më 3 tetor të vitit 1949, në Nju Jork, u nda nga jeta Mid’hat Frashëri, ose siç njihet në letra Lumo Skëndo. Mid’hati është pjesë e panteonit të korifejve të shqiptarizmës. Ndër autorët e nacionalizmit shqiptar ai është më humanisti. Abdyl Frashëri, i ati, kur u pyet ndërsa u dënua me vdekje, nëse dëshironte të thoshte diçka, tha:

“Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund. Dhe të sillet kështu siç po sillem unë.”

Si gjithë romantikët dhe humanistët e shekullit të tij, Mid’hati na thotë se themeli i një kombi të begatë është morali dhe përfytyrimi i përbashkët për një të ardhme më të mirë. Qasja e tij për kolektivin si imagjinare shqiptare dhe individi si subjekt që e çon përpara e vendos në qendër të kahjeve politike – as majtas, as djathtas. Duke njohur kokën dhe inatin e shqiptarit, Mid’hati këshillon ëmbël, nuk fshikullon. I di veset dhe problemet, ndaj përdor fjalën si balsam për shpirtin, jo si kamxhik për të kritikuar. Madje, ndërsa shumica e autorëve kanë në thelb kritikën pa zgjidhje, Mid’hati ka zgjidhjen kurdoherë – emancipimi është çelësi. Shkruan në një nga veprat e tij “Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.”

Sa i përket mendimit diplomatik të Mid’hatit, gjatë asaj periudhe konkuronin tre projekte ballkanike – pansllavizmi me në krye Beogradin, i mbështetur nga sovjetikët dhe francezët; konfederata ballkanike me në krye Athinën, që mbështetej nga britanikët; dhe lidhja e ngushtë me Italinë, e cila ishte Fuqi e Madhe që, faktikisht, na pushtoi në 7 prill të 1939-ës.

Mid’hati bën një nga përzgjedhjet më interesante. Eleminon pansllavizmin me Beogradin në krye duke parë nga mbrapa edhe linjën sovjektike që e mbështeste. Italia ishte një vend që kishte ndihmuar shumë në pavarësimin e Shqipërisë dhe kishte ndihmuar në ngritjen e shtetit shqiptar, por aleanca e saj me nazistët e Hitlerit ishte e patolerueshme për Mid’hatin. Ai pa një aleancë me grekët, projekt ballkanik i kahershëm britanik. Fakti interesant në këtë pikë është se Mid’hati, si ish-diplomat në Athinë, e dinte shumë mirë se cilat ishin interesat e fqinjëve ndaj vendit tonë, ndaj ai do të ndërtonte skemën për aleancë me grekët duke i balancuar ata me partneritetin që Shqipëria duhej të kishte me Turqinë, një nga pikat që lihet gjithnjë në heshtje për ta përbaltur si figurë.
Si intelektual, në kohën kur të gjithë ishin nën ethet e fashizmës apo komunizmës, ai shihte diçka tjetër – republikanizmin dhe socialdemokracinë. Mbi figurën e tij është derdhur aq shumë vrer dhe sharje, sa duket sikur po flasim për njeriun më mizor të këtij vendi, jo një nga intelektualët më të spikatur, atdhetarët e mendimtarët e rrallë.

Në emigracion, pas vitit ’45, plejada e politikanëve shqiptarë kishin një kundërshtar të përbashkët – komunizmin në Shqipëri. Mbreti Zog, Mid’hat Frashëri dhe gjithë politikanët e lartë u bënë bashkë, lanë pas mëritë, sepse kërcënimi për atdheun ishte pushteti sllavofil në Tiranë. Shqipëria po bëhej gati t’i bashkohej konfederatës sllave. Edhe gjatë luftës, problem që e shpreh vetë diktatori te vepra e tij “Titistët”, nacionalistët bënin propagandë për kombin, komunistët për internacionalen e re. Kaq i dëmshëm ishte komunizmi për shqiptarët saqë sot i dëgjoni t’ju përçmojnë si i trashë, malok apo i prapambetur po të flasësh për kombin. Komunizmi ishte shkatërrimtar. Kjo fillon me leninizmin e Fan Nolit që e ndan Shqipërinë në malokë, kosoviotë dhe toskë.
Sot, kjo qasje përçarëse ka fituar terren te snobistët dhe përçarësit. Për t’i kuptuar se kush janë dhe ku duan të shkojnë, pyetini nga vijnë dhe ç’projekte mëtojnë. Ju vjen turp t’ju tregojnë për prejardhjen familjare, se i kanë duart të lyera me gjak. Sot, fatkeqësisht, snobistë kemi me mijëra, idealistë dhe humanistë pak. Numërohen me gishtat e duarve. Pushteti sllavofil në Tiranë zgjati për 45 vjet. Nga fundi mori një trajtë shumë të çuditshme duke u kthyer në etnokomunizëm. U kthyem në “fanar ndriçues buzë Adriatikut”. Remineshencat e asaj periudhe duken sot, kur na thuhet se shqiptarët do të arrijnë bashkimin midis tyre vetëm në Bashkimin Evropian. Kjo është mefshtësi politike e elitës sonë dhe mungesë vizioni e projektesh. Do të vuajmë gjatë prej saj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *