Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë sot dorëheqje. Ai është shprehur se arsyeja e dorëheqjes lidhet me zgjedhjen e djeshme të Dimal Bashës si kryeparlamentar.
“Dua t’ju njoftoj se sapo i dorëzova Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën time të dorëheqjes nga detyra e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pas votimit për kryetarin e Kuvendit dje, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”, ka thënë ai.
Aliu ka shtuar se zgjedhja e djeshme e kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë ku miratohen ligjet dhe i jepet llogari qeverisë, nuk është në frymën dhe lartësinë e idealit për Republikën, që ka qenë dhe mbetet arsyeja e angazhimit të tij.