Nga Milaim Nela

Emërimi, siç po thuhet, i Liburn Aliut në kabinetin e Edi Ramës menjëherë pas dorëheqjes së tij nga qeveria Kurti, jo vetëm që është indikacion se Rama ka dorë të fortë në bllokimin e institucioneve në Kosovë, por tregon se roli i tij në punët e zeza në Kosovë është shumë më i madh sesa shqiptarët e kanë menduar deri më sot!

Të mos harrojmë përpjekjet titanike të Edi Ramës, muajt e fundit dhe gjatë vitit të kaluar, për lirimin e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë.

Dora e Edi Ramës nuk përjashtohet as në deklarimin e paprecedent të zyrtarëve të BE-së, se nuk do të takojnë asnjë zyrtar të Kosovës pa pasur qeveri me mandat të plotë.

Të mos harrojmë se edhe në Holandë dhe Belgjikë, qeverisja, për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ka zgjatur më shumë se 12 muaj. Pra, ky vendim i diplomacisë së BE-së është absurd dhe pa sens. Unë dyshoj fort në rolin dhe lobimin e Edi Ramës në këtë vendim.

Ky emërim potencial është presion i drejtpërdrejtë mbi Albin Kurtin që të tërhiqet në opozitë, përveç faktit që Vetëvendosje është partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit!

Emërimi i mundshëm i Liburn Aliut është jo vetëm diversion i hapur, por edhe goditje e marrëdhënieve Shqipëri Kosovë, sepse jep përshtypjen se Kosova jo vetëm e njeh legjitimitetin e një qeverie të dalë nga zgjedhje totalisht të manipuluara e të vjedhura, por madje edhe bëhet pjesë e saj.

Po ashtu, protestat te ura e re në Mitrovicë nga Dardan Molliqaj, partneri i Besa Shahinit, ish-ministre e Edi Ramës, nuk janë rastësi.

Zgjedhja aksidentale e Dimal Bashës në krye të Kuvendit jo vetëm që nuk rezultoi në zgjidhje të krizës, por publikimi i një punimi tejet kontravers të tij, të para 12 viteve, e ka rënduar pozitën e Kosovës në ballafaqimin e vazhdueshëm me Serbinë në tryezat ndërkombëtare.

Ndikimi dhe influenca malinje e Edi Ramës mbi PDK dhe LDK tashmë nuk është sekret.

Mosvotimi i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, e sidomos refuzimi i Nenad Rashiqit, tregon se fijet e këtij refuzimi e kanë fillesën në Beograd, e nuk përjashtohet që këto fije të kalojnë edhe nga Tirana.

I gjithë ngërçi tashmë disamujor, që ka bllokuar legjitimimin e institucioneve të Kosovës, më së shumti i ndihmon dhe është oksigjen për Aleksandër Vuçiçin në Beograd, i cili ndodhet në pozitë tejet të vështirë përballë protestave të qytetarëve të tij.

Duket se trekëndëshi i së keqes Beograd, Tiranë, Prishtinë është ngulur fort!

Lufta politike në Kosovë nuk është ideologjike mes të majtës dhe të djathtës!

Ajo nuk është thjesht rivalitet politik, por në terma praktikë është luftë mes kampit proserb e antiserb, mes kampit pro-Soros e anti-Soros. Mbi të gjitha, është mes kampit proshqiptar dhe antishqiptar.

Sa më shpejt ta kuptojnë këtë mendjet e kthjellëta në Prishtinë, dhe këtu e kam fjalën për politikanë të papërlyer nga i gjithë spektri politik shqiptar, aq më mirë do të jetë, jo vetëm për Kosovën dhe institucionet e saj, por edhe për interesin kombëtar shqiptar në përgjithësi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *